Lajme
Deputetë të komuniteteve akuzojnë Listën Serbe se u ka mohuar përfaqësimin në Kuvend
Demokracia
10:54 | 21 Shkurt 2021

Share:

Deputetë të partive politike, të cilët përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë e jo-serbe e kanë akuzuar Listën Serbe se ka mobilizuar votuesit serbë që të votojnë kandidatë të partive jo-serbe, për të zënë kështu edhe vendet tjera të rezervuara për komunitetet në Kuvendin e Kosovës. Lista Serbe nuk është deklaruar fare për këto akuza.

Një javë pas zgjedhjeve, sipas rezultateve preliminare, del se Lista Serbe ka shtuar numrin e deputetëve të saj në Kuvendin e Kosovës e sipas disa politikanëve, LS do të jetë edhe më e fortë për shkak se edhe disa përfaqësues të komuniteteve tjera janë në fakt të afërt me vet Listën Serbe.

Ish-deputetët Duda Balje, përfaqësuese e komunitetit boshnjak, dhe Veton Berisha, përfaqësues i komunitetit egjiptian, po pretendojnë se ka tendenca për një formacion të ri politik, përmes të cilit mund të rritet numri i deputetëve që bashkëpunojnë me Listën Serbe.

Demokracia.com ka biseduar me njohës të çështjes, për të shpjeguar më shumë rreth këtyre deklaratave.

Ilir Ibrahimi, komentues i zhvillimeve politike në Kosovë, shprehet se kjo është uvertyrë në zhvillime tjera, në të cilat mund të shihet edhe se si “partitë politike shqiptare përkrahin komunitetet pakicë, për të siguruar kështu më shumë vota” në Kuvendin e Kosovës.

“Në të ardhmen e afërt kjo hap mundësi për taktika të tilla edhe nga partitë tjera, pra një parti shqiptare në të ardhmen të përkrahë deputetët nga minoritetet e tjera dhe të rritet në votë”, thotë ai.

Ibrahimi e sheh këtë edhe si cenim të të drejtave të garantuara me Kushtetutë për komunitetet duke thënë se një praktikë e tillë “e humbë atë bazën, mbi të cilën është vendosur për të pasur vende të rezervuara për të siguruar pjesëmarrjen e minoriteteve”.

Ndërkaq, edhe Albert Krasniqi nga Demokraci Plus ka thënë se në të ardhmen mund të priten tendenca të partive politike shqiptare për të kontrolluar përfaqësimin e komuniteteve në Kuvend.

Kjo sipas tij, do t’i dëmtonte më së shumti serbët.

“Nëse një gjë e tillë tolerohet, në të ardhmen mund të kemi tendenca edhe të partive politike shqiptare për të kontrolluar përfaqësimin e komuniteteve në Kuvend, e nga kjo mund të dëmtohen më së shumti vetë serbët.”, tha Krasniqi për Demokracia.com.

Krasniqi pranon se është e habitshme se subjektet politike, njëra që përfaqëson interesat e komunitetit boshnjak dhe tjetra atij rom, kanë siguruar votat në lokalitetet e dominuara nga komuniteti serb.

“Përderisa në të kaluarën ka pasur tendenca që të kontrollohen deputetët e zgjedhur nga radhët e komuniteteve tjera, kësaj here është hasur në një dukuri tjetër, atë të themelimit të partive të reja nga radhët e komuniteteve dhe sigurimit të votave për t’u përfaqësuar në Kuvend. Është e habitshme se si këto subjekte politike, njëra e deklaruar se përfaqëson interesat e komunitetit boshnjak dhe tjetra atij rom, kanë siguruar votat në lokalitetet e dominuara nga komuniteti serb. Nga rezultatet e zgjedhjeve dhe lokalitetet ku janë siguruar këto vota, duket që Lista Serbe ka orientuar votat e përkrahësve të saj me qëllim që të votojnë këto subjekte politike. Interesi i Listës Serbe është që të ketë nën kontrollin e saj më shumë se dhjetë deputetë, dhe kjo është parë më lehtë e mundur përmes krijimit të partive politike që mbajnë dhjetë ulëset tjera të garantuara për komunitetet”, shtoi Krasniqi.

Ai tutje shtoi se për pretendimet e Duda Baljes dhe Veton Berishës, do të duhej të përgjigjej Prokuroria e Shtetit.

“Pretendimet e Duda Baljes dhe Veton Berishës, të cilët konsiderojnë se po u mohohet përfaqësimi në Kuvend në saje të skemave për kontrollim të votës, do të duhej t’u përgjigjej Prokuroria e shtetit, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të mbrohet përfaqësimi i vërtetë i komuniteteve në Kuvend.”, u shpreh Krasnqi.

Kujtojmë se ish-deputetja nga komuniteti boshnjak Duda Balje, ka thënë se veprimet e Listës Serbe janë shkelje e Kushtetutës së Kosovës dhe se do të ankohen në PZAP dhe në të gjitha instancat e tij.

“Kjo është kundër Kushtetutës dhe është duke e prishur multietnicitetin e Kuvendit të Kosovës. Ata nuk mund ta përfaqësojnë komunitetin qysh duhet, sepse nuk janë votuar prej boshnjakëve ose romëve. Është shumë e rrezikshme.”, tha Balje.

Ndërkaq, Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane, ka deklaruar se subjekti politik “Romani Iniciativa” është produkt i “Listës Serbe”, dhe e ka konsideruar shkelje të Kushtetutës.

“PLE, veprimet e tilla i konsideron si shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe votës së lirë prandaj PLE fton misionet diplomatike, subjektet politike dhe organet e tjera të drejtësisë që të reagojnë ndaj kësaj padrejtësie sepse nëse tani nuk do të reagohet, kjo praktikë do të bëhet në të ardhmen precedent i rrezikshëm, i cili do të cenojë të drejtën e votës së lirë të qytetarëve. PLE do të presë deri në rezultatet preliminare dhe pas publikimeve të tyre, do të ndërmerr veprime të tjera procedurale sipas ligjeve në fuqi”, tha ai.

Vetë Lista Serbe nuk është deklaruar për këto akuza.

Në Kuvendin e Kosovës, 20 nga 120 vende janë të rezervuara për përfaqësimin e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë. Dhjetë prej tyre janë për komunitetin serb dhe dhjetë për komunitetet e tjera: turq, boshnjakë, romë, ashkalinj, goranë dhe egjiptianë./Demokracia.com/

Të ngjashme