Lifestyle
Depresioni pas lindjes së fëmijës te burrat
Demokracia
20:54 | 19 Maj 2021

Share:

Depresioni i baballarëve të rinj është një problem ekzistues dhe në botë ka shumë raste të tilla, por si fenomen ndodh që të diskutohet më pak, krahasuar me depresionin e nënave të reja.

Të bëhesh me fëmijë sjell ndryshime rrënjësore në stilin e jetesës, edhe nëse lindjen nuk e ke bërë ti. Tek gratë, nivelet e luhatshme hormonale dhe ndryshimet neurokimike që ndodhin në tru ndikojnë në një masë të madhe. Edhe burrat përjetojnë çrregullime hormonale pas lindjes së një fëmije. Ulja e nivelit të testosteronit mund të shtojë rrezikun e depresionit dhe ankthit.

Shtoji kësaj pasoja të tjera si stresi kronik, ushqyerja e parregullt dhe mungesa e gjumit, edhe ata i kanë të gjitha gjasat të kalojnë një episod depresioni, që në pakujdesi mund edhe të shndërrohet në depresion kronik.

Por nuk janë vetëm ndryshimet hormonale ato që luajnë rol tek depresioni pas lindjes i burrave. Një prej faktorëve është edhe ndjesia e shkëputjes nga nëna dhe fëmija, pasi në shumë raste babai lihet jashtë proceseve kryesore të rritjes së bebes. Është tejet e rëndësishme që babait t’i jepet mundësia të krijojë lidhje me fëmijën dhe të ndihet i dobishëm në përkujdesjen për të.

Mbi të gjitha, presioni i kulturës karshi prindit mund ta bëjë këdo të ndihet i paaftë. Pritshmëritë e larta ndaj mamasë dhe babait, që të kujdesen për fëmijën në një mënyrë të caktuar, janë zakonisht shumë larg realitetit të një jete pa gjumë, me kequshqyerje dhe hutim, ku prindërit e kanë tepër të vështirë të bëjnë çdo gjë në përsosuri, me gjithë ngarkesën që vjen befas në jetën e tyre.

Të ngjashme
Lifestyle • 02 Maj 2024