Lajme
Departamenti për Punë të Jashtme të Zvicrës komenton përfshirjen e saj në takimet mes Kosovës dhe Serbisë
Demokracia
18:11 | 19 Dhjetor 2022

Share:

Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës ka konfirmuar për Gazetën Express se zyrtarë të partive të Kosovës dhe të Serbisë janë takuar në Zvicër, një javë pasi serbët e veriut dhanë dorëheqje nga institucionet kosovare.

Mediumi zviceran “NZZ am Sonntag” ka raportuar gjatë fundjavës se përfaqësues të Kosovës dhe të Serbisë kanë negociuar fshehtas në Zvicër. Të hënën dolën detaje të tjera rreth, siç u tha, “takimeve sekrete”. Është konfirmuar tanimë se nuk kanë qenë diskutime të nivelit të qeverive.

Nga Departamenti i Punëve të Jashtme të Zvicrës, që, sipas një mediumi atje, është aktivizuar për të ndërmjetësuar në negocimin mes Kosovës dhe Serbisë, pas tensionimit të situatës në veri, kanë folur sot rreth përfshirjes së shtetit të tyre në këtë çështje.

“Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është një copë e rëndësishme e ‘puzzle’-it për të promovouar stabilitet dhe zhvillim në Ballkanin Perëndimor. Zvicra përkrah përpjekjet për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë dhe e ka bërë vazhdimisht të qartë këtë në komunikimet publike”, thuhet në përgjigjen e Departamentit Federal për Punë të Jashtme.

Më tutje, konfirmojnë se një takim mes përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë, përbërja e të cilëve ishte nga partitë politike të dy vendeve, është mbajtur në nëntor.

“Që nga viti 2015, Departamenti Federal i Punëve të Jashtme ka përkrahur negociatat zyrtare të Bashkimit Evropian, me takime plotësuese joformale me përfaqësues të partive politike më të rëndësishme nga të dy vendet. Kjo ua mundësoi atyre që të shkëmbejnë pikëpamjet në cështje politike dhe të ndërtojnë mirëbesim. I fundit nga këto takime u mbajt në Zvicër, një javë pasi serbët u tërhoqen nga institucionet kosovare”.

Kryediplomacia zvicerane thekson se nuk ka pasur asnjëherë deri tash takime mes kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, që Zvicra i ka ndërmjetësuar.

Për takimet e mbajtura deri tash, përfshirë atë të nëntorit pas tensionimit të situatës në veri, zviceranët refuzojnë të japin më shumë detaje.

Sot u raportua se nga pala kosovare, në takimin e nëntorit në Zvicër, kishin marrë pjesë Mimoza Kusari nga Lëvizja Vetëvendosje, Lutfi Haziri nga LDK-ja dhe Ardian Gjini nga AAK-ja. Të tre e kanë konfirmuar gjatë ditës pjesëmarrjen.

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, tha sot për Gazetën Express se takimet nuk ishin “sekrete”, por janë realizuar sipas rregullave ‘Chatham House”, që i bie se nuk publikohen detaje nga përmbajtja e takimit, apo deklaratat e pjesëmarrësve.

“Janë takime të cilat mbahen për shume vite. Edhe pjesëmarresit kanë qenë të ndryshëm, nga të gjitha partitë parlamentare të Kosovës dhe Serbisë. Asnjeherë nuk kanë qenë sekrete. Në fakt nuk janë takime negociuese. Eshte spektakularitet i kotë“, ka thënë Gjini.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari, shkroi sot në Facebook se është bërë “shumë zhurmë për asgjë”.

“Takimet nuk janë sekrete dhe nuk janë negociata. Ato më shumë janë facilitim i komunikimit të palëve në dialog. Takimet organizohen për të ndihmuar në dialog dhe mbahen sipas parimit të ‘Chatham House rules’”, thuhej në një postim të Kusarit.

Në fund, pjesëmarrjen e konfirmoi edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri. Ai, si kolegët, dha përshkrim të njëjtë të takimit, ndërsa tha se ai ka qenë më shumë “ takimrekomandues”.

“Ky Departament punon në rregullat e “Chatham House” dhe palët takohen sipas një orari për të diskutuar çështjet e hapura në mes të Serbisë dhe Kosovës, në linjat e dialogut të Brukselit, por që është më shumë takim rekomandues, sikur takimi i fundit i mbajtur në Zvicërr që ka dalë me një nonpaper dhe ka rekomanduar mënyrën si të dilet nga kjo gjendje e bojkotit të institucioneve tona nga ana e serbëve të Kosovës dhe rolin e Serbisë në këtë bojkot”, u tha në postimin e Hazirit.

Një javë para takimit në Zvicër, që u zbulua tani, serbët lokalë të veriut të Kosovës nisën braktisjen e institucioneve publike, pas një njoftimi të Listës Serbe, parti e lidhur me pushtetin në Serbi, që përfaqëson serbët lokalë të Kosovës në institucione.

Largimet zinxhir nga institucionet nisën me suspendimin e policit serb të Kosovës, Nenad Gjuriq, i cili nuk pranoi të zbatonte vendimin e Qeverisë për gjobitjen e poseduesve të targave ilegale, që Serbia i lëshon për rajone të Kosovës.

Prej atëherë, asnjë zyrtarë që ka dhënë dorëheqje nuk është kthyer në vendin e punës, ndërsa me fillim të dhjetorit, situata në veri ka përshkallëzuar me vendosjen e barrikadave. Ato u vendosën si reagim, pas arrestimit të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, i cili dyshohet se organizoi sulm ndaj zyrtarëve zgjedhorë dhe policorë në veri të Kosovës.

Incidentet në veri u rikthyen, disa ditë para datës kur planifikohej të mbaheshin zgjedhjet në katër komunat veriore, pasi në fillim të nëntorit ishin dorëhequr edhe kryetarët e katër komunave me shumicë serbe.

Të ngjashme