Lajme
Dënohet me 500 euro gjobë pasi pranoi se kanosi zyrtarin e KOSTT-it
Demokracia
12:15 | 25 Maj 2022

Share:

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 6 muaj burgim të akuzuarin A.K, për akuzën se kanosi zyrtarin e KOSTT-it, dënim ky i cili me pëlqimin e të akuzuarit u zëvendësua me 500 gjobë.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit A.K u shpall të mërkurën nga gjykatësi i rastit Adnan Kamberi, pasi i njëjti në seancën e 23 majit e pranoi fajësinë për veprën penale që i vihej në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, dënimin me gjobë i akuzuari obligohet ta paguajë brenda periudhës 15 ditore.

I akuzuari është obliguar po ashtu t’i paguajë edhe shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumën prej 30 euro dhe 30 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

Ndërsa, palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest civil.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 30 prill 2019, i pandehuri A.K më 17 maj 2018 në Prishtinë, me dashje, seriozisht ka kanosur përmes e-mailit të dëmtuarin I.Sh, shefin të Departamentit Ekzekutiv në KOSTT, duke përdorur fjalë kërcënuese.

Tutje sipas aktakuzës, arsye e kësaj kanosje kishte qenë sepse gruaja e të pandehurit A.K është punëtore në KOSTT dhe kishte qenë e pakënaqur me vendimet e marra nga ana e kryeshefit ekzekutiv I.Sh, ku me rastin e kërcënimit tek i njëjti është shfaqur ndjenja e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetë.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 185, par.3 lidhur me par.2 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme