Një sulm fizik dhe verbal mbi një futbollist 15-vjeçar të komunitetit ashkali gjatë një ndeshjeje futbollit në Obiliq, ka nxitur reagime të mëdha në gjithë vendin gjatë kësaj jave.
Belgin Jashari, 15 vjeç, u shkelmua nga një burrë gjatë një ndeshjeje të 15-vjeçarëve mes klubit të fij Fushë Kosova dhe shkollës së futbollit Arsenali më 21 prill në Obiliq, rreth 10 kilometra larg kryeqytetit Prishtinë.
Klubi i tij e publikoi një video ku shihet një burrë teksa i kalon rrethojat e fushës, futet brenda dhe e godet me shkelm Jasharin, si dhe e fyen atë në baza racore, sipas klubit.
Klubi tha se veprimi i burrit ka qenë i motivuar “për fat të keq, nga përkatësia etnike e lojtarit si pjesëtar i komunitetit ashkali. Sulmuesi ka përdorur gjithashtu fjalor ofendues dhe gjuhë me përmbajtje të rëndë racore”.
“Dhuna dhe diskriminimi në sport janë sulm i drejtpërdrejtë ndaj vlerave tona më të shtrenjta: respektit, barazisë dhe dinjitetit njerëzor. Dënoj ashpër dhunën fizike dhe verbale ndaj futbollistit të ri, Belgin Jashari”, tha Osmani.
Një burrë 47-vjeçar është dërguar në mbajtje për 48 orë si i dyshuar për sulmin ndaj Jasharit, njoftoi Policia e Kosovës më 26 prill.
Policia tha se e ka marrë në pyetje të dyshuarin, si dhe ka marrë edhe dëshminë e futbollistit të ri.
Ashkalinjtë janë një pakicë e vogël në Kosovë dhe njëlloj sikurse pakicat tjera si romët dhe egjiptianët, ata përballen me diskriminim dhe sfida të ndryshme, si qasje e kufizuar në punësim, arsimim, kujdes shëndetësor dhe banim.
Në një raport të vitit 2024, Qeveria e Kosovës e pranon se ka diskriminim të vazhdueshëm ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Për këtë, ajo ka krijuar një Grupi Teknik Punues dhe të një Platforme Kombëtare që synojnë adresimin e ankesave dhe promovimin e barazisë, megjithëse sfidat në zbatimin e tyre vazhdojnë të jenë të pranishme.
Reagimet kundër dhunës fizike dhe diskriminimit racor, si dhe mbështetja për Jasharin ishin të shumta.
Federata e Futbollit e Kosovës dhe Komiteti Olimpik i Kosovës e dënuan dhunën ndaj Jasharit dhe shprehën mbështetjen e tyre për futbollistin.
Federata e futbollit tha se ngjarjet e tilla janë “të papranueshme dhe bien ndesh me sportin dhe vlerat që ne i kultivojmë si shoqëri: respektin, barazinë dhe dinjitetin njerëzor”. /REL/