Lajme
Dënohen veprimet e Speciales ndaj ish-komandantëve të UÇK-së: Po sillet si organ suprem, shteti duhet të reagojë
Demokracia
10:01 | 09 Mars 2024

Share:

Hetuesit e Prokurorit të Specializuar në Hagë kanë pasur një javë të ngarkuar në Kosovë në përndjekje të ish-komandantëve të UÇK-së.

Aksioni që ka filluar me bastisjen e ish-komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, mbrëmë ka vazhduar me ndalimin prej disa orësh të ish-komandantit të UÇK-së për Zonën Operative të Drenicës, Sami Lushtaku.

Ky i fundi, mbrëmë rreth orës 21:00 është ndaluar pa paralajmërim në Prishtinë. Më pas, ai është dërguar në Zyrat e EULEX-it në Prishtinë për të përfunduar pastaj në zyrat e këtij misioni në Fushë Kosovë, ku është intervsistuar për një orë nga hetuesit e Prokurorit të Specializuar.

Lushtakut i është konfiskuar telefoni dhe më pas është liruar.

Bastisja e Sulejman Selimit dhe ndalimi i mbrëmshëm i Sami Lushtakut nga hetuesit e Speciales ka nxitur reagime të ashpra në vend.

Personalitet të ndryshme kanë kërkuar reagimin e shtetit të Kosovës ndaj këtyre veprimeve të Speciales.

Ata kanë bërë me dije se nuk mund të trajtohen në këtë mënyrë ish-krerët e UÇK-së.

Profesori universitar Milazim Krasniqi ka kritikuar aksionet e fundit të Prokurorit të Specializuar ndaj ish-komandantëve të UÇK-së.

Duke reaguar ndaj ndalimit të mbrëmshëm të ish-komandantit të UÇK-së, Sami Lushatku, ai ka thënë se përndjekja e njerëzve të UÇK-së 25 vjet pas mbarimit të luftës është duke kaluar çdo kufi logjik.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se institucionet e Kosovës duhet të marrin qëndrim ndaj këtyre veprimeve.

Eksplodimet ndodhin ne Zvecan, ndersa EULEX arreston Sami Lushtakun ne Emerald. 25 vite pas mbarimit te luftes, keto arrestime arbitrare kane kaluar cdo kufi logjik, jane shnderruar ne perndjekje sistematike ndaj ish luftetareve shqiptare. Institucionet tona shteterore duhet te marrin qendrim te qarte ndaj kesaj perndjekjeje e te mos fshihen pas deklaratash me dykuptimësi”, ka shkruar Krasniqi.

Edhe ish-ushtari i UÇK-së dhe aktivisti shqiptar në Amerikë, Uk Lushi, ka reaguar në lidhje me ndalimin e ish-komandantit të UÇK-së dhe nënkryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku nga EULEX.

Përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Gjykata Speciale është duke u sjell si të ishte organ suprem mbi shtetin e Kosovës.

Gjykata Speciale me mekanizmat e saj është duke u sjellur si të ishte organ suprem mbi shtetin e Kosovës. Organet e shtetit të Kosovës, Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi duhet të lëvizin. Kuvendi është vullneti dhe legjitimiteti i popullit, jo Gjykata Speciale. Kuvendi duhet ta ndalë Gjykatën që sillet si Zot. Nëse vazhdon ngacmimi dhe sjellja arbitrare, populli mund të reagojë ndaj poshtërimit me prapavija krejt tjera nga drejtësia dhe ka mjete tjera të mbrojtjes. Shteti duhet ta mbrojë popullin dhe të mos lejojë provokime si në kolonitë e të kaluarës.”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndërsa, gazetari Vehbi Kajtzai ka pyetur nëse ka shtetet Kosova për të ndalur këtë përndjekje ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së.

A ka more shtet ne kete vend? Qysh ndiqen dite e nate njerezit ne kete menyre? Phuuu”, ka shkruar Kajtazi.

Qëndrimi i avokatit

Pas lirimit të Sami Lushatakut, para media ka folur avokati i tij, Artan Qerkini.

Ai ka deklaruar se Lushtakut i është cenuar privatësia, pasi i është marrë telefoni dhe nuk ka pasur ndonjë paralajmërim, pasi nuk ka statusin e personit të dyshuar.

Njëjtë, si herave të kaluara, mendojmë se ky veprim bie ndesh me ligjin sepse edhe z.Lushtaku nuk e ka statusin e personit të dyshuar, përkundër këtij fakti, i është cënuar privatësia, i është marrë telefoni mobil, do të paraqesim të gjitha mjetet juridike në kohën dhe pranë organeve kompetenve të dhomave të specializuara. Nuk ka pasë paralajmërim për arrestim, dhe as urdhër për arrestim. Nuk është i dyshuar, thjeshtë i është marrë telefoni.”, ka deklaruar ai.

Deklaratë të ngjajshme, ka pasur edhe i biri i tij, Mërgim Lushtaku, i cili u shpreh se “i është konfiskuar telefoni dhe nuk ka pasur urdhërarrest”.

Pavarësisht thirrjeve të ndryshme për reagim, shteti i Kosovës ka heshtur. Deri në publikimin e këtij shkrimi, askush prej institucioneve të Kosovës nuk ka reaguar për këtë çështje.

Të ngjashme