Lajme
Dënohen me 6 vjet e 3 muaj burgim policët e Leposaviqit të akuzuar për korrupsion
Demokracia
15:37 | 05 Shtator 2022

Share:

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur të hënën aktgjykim dënues ndaj policëve të Leposaviqit, të akuzuar për korrupsion, Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq, duke i dënuar me gjashtë vjet e tre muaj burgim.

Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq akuzoheshin për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal lidhur me keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe për marrje ryshfeti, raporton “Betimi për Drejtësi” të hënën.

Aktgjykimi ndaj tre të akuzuarve u shpall të hënën nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Albina Shabani-Rama.

Sipas aktgjykimit, Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq, janë fajtorë secili veç e veç për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Trupi gjykues nuk ka gjetur elemente të veprës penale krim i organizuar dhe veprës penale marrje e ryshfetit”, tha gjykatësja Shabani-Rama.

Të akuzuarën Vasoviq-Baraq, gjykata e dënoi me 2 vjet e 6 muaj burgim, të akuzuarin Uskoviq me 15 muaj burgim, kurse të akuzuarin Dimitrijeviq, me 2 vite e 6 muaj burgim.

Po ashtu, të tre të akuzuarve gjykata iu shqiptoi edhe dënim plotësues dhe atë ndalim i ushtrimit të funksionit të detyrës zyrtare në administratë për tre vjet.

Në dënimin me burgim, të akuzuarve do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 23 prill 2020 nga PSRK-ja, Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq akuzoheshin se nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, në bashkëpunim edhe me të pandehurit Rade Radosavljeviq, Milan Jovanoviq dhe Dragan Radojeviq, të cilët gjenden në arrati, duke vepruar si grup i organizuar, nën udhëheqjen e të pandehurit Rade Radosaljeviq, komandant i stacionit në Leposaviq, me dashje dhe me qëllim të përfitimit pasuror, kishin marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit.

Sipas PSRK-së, të akuzuarit kishin lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshme si mallra ushqimore, transportin e druve, barnave dhe derivateve nga Serbia për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, nëpërmjet rrugëve ilegale. /BetimipërDrejtësi

 

Të ngjashme