Lajme
Dënimi ndaj Rozeta Hajdarit, avokati i palës së dëmtuar thotë se gjykata s’ka vlerësuar drejt gjendjen faktike
Demokracia
19:59 | 24 Tetor 2023

Share:

Avokati i palës së dëmtuar, Florim Shefqeti në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, ka komentuar vendimin e gjykatës për dënimin e ministres Rozeta Hjadari, duke thënë se gjykata nuk ka vlerësuar drejtë gjendjen faktike.

“Ajo që ne kemi parë nga diapozitivi i vendimit janë dy gjëra për të cilat konsiderojmë që gjykata nuk ka vlerësuar drejtë gjendjen faktike, pavarësisht rrethanave që ne në parim bindemi ndaj vendimeve të gjykatës dhe i çmojmë si të tilla”, ka thënë avokati Shefqeti për “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se gjykata në mënyrë të gabuar ka vërtetuar gjendjen faktike duke ju referuar rrethanës që gjoja se në rastin konkret e pandehura kishte pengesë në shikimin e fëmijëve respektivisht ishte një veturë e ndaluar, e që ky konstatim i gjykatës sipas tij është në kundërshtim me provat dhe shkresat e lëndës.

“Kur e themi këtë e kemi parasysh faktin që vete e pandehura ka deklaruar në polici por ka deklaruar pastaj edhe në gjykatë në herën e parë kur është marrë në pyetje që fëmijët i ka parë duke dal nga marketi. Mbi këtë bazë distanca rrugore nga marketi është mbi 10 metra dhe janë mbi 10 shkallë që fëmijët i kanë kaluar duke ecur, pra e pandehura nëse qëndron deklarimi i saj në polici dhe fillimisht në gjykatë që i ka parë duke dal nga marketi ajo është dashtë medoemos ta zvogëloj shpejtësinë e lëvizjes sepse kemi parasysh që super ekspertiza ka thënë se që nga momenti që ka vërejt fëmijët deri në momentin e aksidentit vetëm 1 km në orë kemi zvogëlim të shpejtësisë, pra s’ka fare reagim, s’ka fare frenim”, ka thënë avokati Shefqeti.

Tutje, ai tha se gjykata në dispozitiv ka konstatuar se e pandehura ka frenuar me vonesë e që kjo në asnjë shkresë të lëndës, as në ekspertizën e parë as të dytën as në super ekspertizën nuk është konstatuar se e njëjta ka frenuar për ta evituar aksidentuar.

“Madje edhe e vet e pandehura ka deklaruar që nuk ka frenuar dhe ndërrimin e drejtimit të automjetit e ka bërë në mënyrë instiktive. Ky konstatim i gjykatës është jashtë gjendjes faktike dhe normalisht për të njëjtin do të paraqesim ankesë në organin e shkallës së dytë”, tha avokati Shefqeti.

I njëjti tha se vendimi i gjykatës të cilin e kanë pranuar sot me vonesë, nuk kanë arritur ta analizojmë në detaje konkretisht pjesën arsyetuese të saj.

“Por ajo që ka rëndësi në këtë rast është fakti se nuk kemi arritur të shohim ende nëse gjykata ka bërë arsyetimin e kërkesës sonë që ne kemi pasur për të shqiptuar të pandehurës masën e ndalimit të drejtimit të automjetit dhe masën e marrjes së patentë shoferit”, tha tutje avokati Shefqeti.

Sipas tij, të dy masat që ata kanë propozuar që t’i shqiptohen të pandehurës kanë ardhur si rezultat i faktit se e pandehura gjatë shqyrtimit gjyqësor kishte deklaruar që nuk ka frenuar dhe që ndërrimin e drejtimit të automjetit e kishte bërë vetëm instikivisht.

“Mbi këtë bazë ne konsiderojmë që duke qenë se e pandehura nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim të vullnetshëm për të ndryshuar apo ndërruar drejtimin e automjetit-drejtimin e lëvizjes së automjetit ne kemi konsideruar që të pandehurës duhet t’i shqiptohen këto masa për shkak se ka reflektuar nga vet deklarimi i saj që tani nuk ka përgatitje të konsiderueshme apo të mjaftueshme dhe mund të paraqes rrezik drejtimi i automjetit duke qenë se në një rast të tillë me një mitur nuk ka bërë frenimin”, tha në fund avokati Shefqeti.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, të martën e ka dënuar me 200 euro gjobë ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarit për akuzën lidhur me aksidentin ku goditi një fëmijë.

Po ashtu, Gjykata duke vendosur në bazë të neneve 3, 7, 8, 9, 17, paragrafi 1, pika 1.2,1.5.31 dhe të nenit 35 të Ligjit për Kundërvajtje me nr.05/L-087, ministres Hajdari i ka shqiptuar dënim me gjobë në shumën prej 200 euro.

E njëjta është obliguar që gjobën e shqiptuar të paguajë në afat prej 15 ditësh, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Po ashtu, ministrja Hajdari është obliguar që të paguajë shumën prej 100 euro për mendimin e ekspertit të komunikacionit dhe shumën prej 900 euro për super-ekspertizë dhe për ekspertizë mjeko -ligjore të paguajë shumën prej 50 euro.

“Nëse e pandehura nuk e kryen pagesën e gjobës në afatin e paraparë me ligj, si dhe shpenzimet e procedurës kundërvajtëse, në të kundërtën ekzekutimi do te bëhet sipas dispozitave të Ligjit të Procedurës Përmbarimore”, thuhej në njoftimin e Gjykatës.

Ndërkaq, pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pronësore – juridike është udhëzuar në kontest civil.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, Divizioni i Kundërvajtjes, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Kujtojmë se në seanca e datës 13 tetor, 11 tetor 2023, si dhe ajo e datës 9 tetor janë mbyllur për publikun më arsyetimin se kemi të bëjmë me rastin e aksidentit ndaj një të miture.

Ndërkohë, ministrja Hajdari kishte thënë se nuk ndjehet fajtore për aksidentin ku ishte goditur një fëmijë. Sipas saj, ajo kishte qenë në shpejtësinë brenda rregullave të komunikacionit dhe se papritmas vajza është goditur nga vetura pasi e njëjta ka qenë duke vrapuar.

Ndryshe, kërkesa ndaj të pandehurës Hajdari për inicim të procedurës së kundërvajtjes është bërë nga stacioni policor, Policia e Kosovës – Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, për aksidentin e ndodhur më 10 prill 2022, rreth orës 12:25 në rrugën “Vicianum”, në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

Me të njëjtën kërkesë, Hajdari ngarkohet me “mospërshtatje të shpejtësisë” dhe “aksident komunikacioni me lëndime trupore”. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme