Barazia
Dënimi i Vukotiq riktheu shpresat për drejtësi te viktimat e dhunës seksuale
Demokracia
16:43 | 08 Janar 2022

Share:

Historik po konsiderohet viti që shkoi për vendosjen e drejtësisë për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit. Institucionet e Kosovës për herë të parë kanë arritur të dënojnë për dhunim seksual një serb. Ani pse është rasti i vetëm, dënimi prej dhjetë vitesh për Zoran Vukotiq, po konsiderohet moment kthese dhe shprese për vet viktimat dhe familjarët e tyre. Ka me mijëra të tjera të cilat tash e dy dekada kërkojnë drejtësi dhe trajtim të duhur nga shteti. Mbi të gjitha thuhet se institucionet duhet të kenë prioritet këtë kategori të dalë nga lufta me rritjen e numrit të prokurorëve që trajtojnë këto raste.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti thotë se vuajtjet e viktimës së Vukotiq arritën të triumfojnë me vendosjen prapa grilave të një krimineli të luftës.

“E kemi quajtur vit historik sepse për herë të parë një e mbijetuar pas shumë sfidave, përpëlitjeve, frustrimeve, dëshpërimeve prej periudhës së kohës kur Kosova administrohej nga OKB-ja, e pastaj nga EULEX-i kishte kërkuar drejtësi. Drejtësi për krimin e ushtruar në trupin e saj gjatë periudhës së luftës. Grua kjo e cila në atë periudhë kohore për shkak të dhunimit shtazarak dhe mënyrës sesi i është ushtruar kjo dhunë në trupin e saj, ajo humbi dy binjakë. Që pasojat i mbarte, qoftë në aspektin psikologjik, qoftë në aspektin psikik. Por, ishte një grua e cila ishte e determinuar për të kërkuar drejtësi”, thotë ajo.

Ani pse shprehet e pakënaqur me dënimin, Rushiti vlerëson se ky vendim ka ringjallur shpresën për viktimat dhe familjarët.

“Ky rast i ka përfaqësuar edhe 20 mijë gra edhe burra të cilët ende mëtojnë, kërkojnë që të vihet drejtësia në vend. Drejtësi e cila për shumë gra edhe vajza kishte humbur shpresat. Prandaj mendojmë që përmes këtij rasti ne kemi ringjallur shpresën. Dhe mbi të gjitha rasti në fjalë e ka dërguar mesazhin edhe te grupi i ndjeshëm, siç janë viktimat , të mbijetuarit e dhunës seksuale, por mbi të gjitha edhe familjarët dhe shoqëria për të inkurajuar ata për të kërkuar drejtësi”, shton Rushiti.

Ky është rasti i parë dhe i vetëm kur institucionet në Kosovë kanë arritur të shqiptojnë dënim për serbët që kanë kryer dhunim seksual gjatë luftës së fundit në Kosovë. Me mijëra të tjerë kërkojnë drejtësi edhe për mënyrën se si trajtohen nga rrethi.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, thekson nevojën që shoqëria kosovare të ndërrojë mendësi dhe të mbështesin viktimat e dhunë seksuale.

“Çështja e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës nuk është vetëm çështja e drejtësisë, është njëri ndër elementet që kërkojnë gratë dhe që duhet të ndodh por ende kemi shumë punë për të bërë për të ndërruar mendësinë në vendin tonë rreth këtyre viktimave. Ka ende që i sulmojnë pa të drejtë për krimin që ato e kanë përjetuar dhe duhet si shoqëri të jemi ata që ju rrimë prapa dhe përkrahim dhe u ndihmojnë, njëjtë edhe institucionet. Duhet të fokusohemi tash e tutje cilat janë nevojat e tyre, cilat janë nevojat edhe të viktimave të tjera”, deklaron Bogujevci.

Hetimi i krimeve të luftës, siç thotë Bogujevci, vështirë mund të bëhet me numrin e prokurorëve aktualë në Prokurorinë Speciale.

“Isha në një konferencë para disa vitesh në Bosnjë, 29 prokurorë i kishin vetëm për krimet e luftës dhe ju dukshin pak. Ne deri më tani i kemi pasur vetëm tre, për ta arritur rezultatin që duhet, duhet ta shtojmë edhe numrin e nevojshëm qoftë të prokuroreve, qoftë në resurse njerëzore por edhe të tjera tek gjykatat, prokurorët, policia e të tjera. Por më vjen mirë që është duke u punuar në atë drejtim, dhe shpresoj që në vitet në vijim do të arrijmë të ndërtojmë kapacitete më të mëdha”, shton ajo.

Avokati i Popullit deklaron për KosovaPress se shteti është vonuar në dokumentimin e krimeve të luftës. Sipas Naim Qelajt, institucionet e deritanishme nuk u kanë mundësuar viktimave që të kenë qasje në drejtësi.

“Kemi dështuar të ngrisim ose të japim qasjen në drejtësi të viktimave të krimit në përgjithësi, në këtë rast edhe të viktimave të dhunës seksuale të luftës. Dhe kur e marrin parasysh faktin që janë mbi 1500 dosje hetimore ose aktakuza që i ka lënë EULEX-i dhe numri i rasteve të gjykuara që nuk është as dyshifror pa dyshim të krijohet bindja që fillimisht ka dështuar UNMIK-u, EULEX-i dhe pastaj drejtësia kosovare”, tha ai.

Ministrja e Drejtësisë zotohet se është prioritet adresimi i krimeve të luftës. Në këtë dikaster thonë se duke punuar në strategjinë e drejtësisë tranzicionale dhe në adresimin e mekanizmit ku do të dokumentohen krimet e luftës.

“Brenda këtij viti ne i kemi rritur kapacitetet në Prokurorinë Speciale, aty kanë qenë vetëm katër prokurorë që merren me rastet e krimeve të luftës, kemi shtuar edhe katër prokurorë. Kemi shtuar edhe gjashtë bashkëpunëtorë profesionalë edhe dy përkthyes që merren me këto raste dhe që i ndihmojnë prokurorët për adresimin e këtyre rasteve. Po ashtu kemi bërë ndryshime edhe në Kodin e Procedurës ku do të lejohet gjykimi në mungesë për rastet e krimeve të luftës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Përveç drejtësisë ligjore, shumë të mbijetuar gjatë këtij viti kanë aplikuar edhe për “njohjen shtetërore” të statusit të viktimës së dhunës seksuale.

QKRMT po shprehet e pakënaqur me punën e Komisionit për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të dhunës seksuale.

“Janë rreth 1500 raste që kanë aplikuar pranë Komisionit. Shumica e këtyre rasteve vijnë nga organizatat joqeveritare të licencuara. QKRMT ka aplikuar me një numër të madh të rasteve. Disa nga ato kanë fatin e mirë ta gëzojnë pensionin. Megjithatë ka edhe nga ato që e kanë humbur jetën, kanë vdekur për shkak të sëmundjeve, vështirësive jetësore. Dhe nuk kanë arritur të gëzojnë statusin për faktin se procesi si i tillë po vonohet dhe ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha në grupin e të mbijetuarve, familjarëve. Pasi që kemi raste që është vonuar më shumë se një vit, rreth 44 raste janë raste të cilat e tejkalojnë njëvjeçarin”, shprehet ajo.

Për tri vjet, prej kur ka filluar punën ky komision kanë aplikuar mbi 1600 persona. Në një përgjigje për KosovaPress ky komision ka njoftuar se gjatë vitit të kaluar 218 gra e burra kanë deponuar dëshmitë e tyre. Në total 1048 personave u është njohur statusi, ndërkaq 224 kërkesa janë refuzuar.

Në korrik të vitit të kaluar, Zoran Vukotiq u dënua me 10 vjet burgim, i akuzuar për kryerjen e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. KosovaPress kishte sjellë edhe dëshminë ekskluzive të viktimës së tij, e cila ishte përballur pas më shumë se dy dekadave në gjykatë.

Të ngjashme