Lajme
Demostat: Serbët në Veri i besojnë më shumë KFOR-it, e kanë humbur besimin në Qeverinë e Serbisë
Demokracia
11:59 | 18 Tetor 2023

Share:

Serbët nga veriu i Kosovës kanë besimin më të madh në misionin e KFOR-it pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit më 24 shtator ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, shkruan Qendra Hulumtuese-Botuese e Organizatave Jo-Qeveritare në Beogard, Demostat.

Madje, disa banorë të komunave në veri të Kosovës deklarojnë se KFOR-i është “faktori i vetëm” të cilit i besojnë, gjë që shpjegohet me humbjen e besimit në Qeverinë e Serbisë si dhe në Listën Serbe, ndërsa asnjëherë nuk kanë pasur pritshmëri të mëdha nga Qeveria e Kosovës.

Sipas Demostat, pritshmëritë edhe ashtu të ulëta nga Kosova u “zhdukën” plotësisht pasi në krye të Qeverisë erdhi kryeministri i Kosovës, Albnin Kurti, i cili “refuzon” ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe

Në të njëjtën kohë, një pjesë e serbëve që jetojnë në pjesën veriore besojnë se sulmi terrorist i 24 shtatorit, “i ka shkaktuar dëme të mëdha serbëve”.

Ndërsa menjëherë pas 24 shtatorit, NATO vendosi të dërgoi trupa shtesë të KFOR-it në Kosovë, derisa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se “misioni i NATO-s gjithmonë do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë”.

Ndërsa më 10 tetor, gjeneral-majori turk Ozkan Ulutas mori postin e komandantit të KFOR-it, duke pasuar gjeneralmajorin italian Angelo Michele Ristuccia.

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm. /AlbanianPost/

Të ngjashme