Trendi i largimi të ushtarëve nga Forca e Sigurisë së Kosovës nuk ka të ndalur. Burimet e gazetës Nacionale brenda Ministrisë së Mbrojtjes kanë bërë me dije se gjatë muajit tetor, 21 pjesëtarë të kësaj force kanë ofruar dorëheqje. Në mesin e të larguarve janë edhe ushtarë me gradën nënkolonel dhe major.
Vetëm në muajin tetor, Forca e Sigurisë së Kosovës është braktisur nga dhjetë ushtarë. Gazeta Nacionale ka siguruar disa letra të dorëheqjes nga këta pjesëtarë.
Në letrat e tyre për demobilizim, ushtarët i kanë treguar arsyet e largimit.
Të gjithë kanë bërë me dije se uniformën po e lënë për arsye financiare.
“Më duhet ta pranoj përballë përgjegjësive dhe kërkesave familjare, të ardhurat financiare janë të pamjaftueshme për nevojat e mija dhe familjare. Moskompenzimi i orëve shtesë si kujdestaria, gatishmëria, ushtrimet fushore, që kërkohet organizim dhe mund, nuk kompensohen siç është përcaktuar me ligj”, është thënë në letrën për demobilizim të ushtarit, i cili ka shërbyer në FSK për pesë vjet.
Arsyet e njëjta i ka përendur edhe ushtari tjetër që ka vendosur ta lërë FSK-në.
“Kushtet financiare nuk kanë arritur të m`i mbulojnë shpenzimet për nevojat familjare”, thuhet në letrën për demobilizim të ushtarit tjetër.
Arsyet për largim nuk ndryshojnë as tek ushtari i tretë.
“Për shkak të kushteve ekonomike kërkoj demobilizim nga FSK-ja. Nga 15.10”, thuhet në letrën për demobilizim.
Nga burimet e saj, gazeta ka mësuar se edhe shtatë ushtarë të tjerë, të cilët kanë kërkuar demobilizim gjatë muajit tetor, i kanë përmendur të njëjtat arsyeje.
FSK-ja po braktiset edhe nga eprorët
Forca e Sigurisë së Kosovës nuk po braktiset vetëm nga ushtarët e thjeshtë. Nga ushtria e Kosovës po largohen edhe pjesëtarët që kanë grada të larta ushtarake.
Gazeta ka mësuar se në mesin e ushtarëve që e kanë braktisur FSK-në gjatë muajit tetor është Manushaqe Nura, e cila e ka gradën major. Nura e ka mbajtur postin e shefes së personelit në Komandën e Logjistikës në FSK.
Gjithashtu, gazeta ka mësuar se para dy muajve nga FSK-ja është larguar edhe Albert Asllani, i cili e ka mbajtur gradën e nënkolonelit.
Asllani ka qenë ndër ekspertët më të mirë në fushën e teknologjisë informative që i ka pasur ushtria e Kosovës.
Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Punëve të Brendshme për ta kuptuar numrin e saktë të ushtarëve që janë larguar nga FSK-ja, por deri në publikimin e këtij shkrimi, ministria nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.
Në fillim të tetorit, për largimin e ushtarëve nga FSK-ja kishte folur edhe ministrit i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Gjatë raportimit para Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e FSK-së, ai kishte thënë se vetëm në vitin 2024, nga FSK-ja janë larguar 119 ushtarë.
“Në vitin 2024 kemi 119 ushtarë që vullnetarisht kanë kërkuar ndërprerjen e shërbimit, që është diku tre për qind e totalit të numrit aktual që i kemi në FSK. Normalisht, për ne, mua dhe komandantin e FSK-së çdo largim është i dhimbshëm. Për ne është e domosdoshme dhe shumë e nevojshme që të kemi njerëz në FSK, sidomos ata që përgatisin dhe edukojnë për të qenë pjesë e FSK-së. Për këtë qëllim kemi kërkuar nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore që të bëjnë një plan për mbajtjen e personelit. Nuk është vetëm trend largimi te ne, p.sh. në Mbretërinë e Bashkuar janë 6.5 për qind e ushtarakëve britanikë që e kanë lënë ushtrinë vetëm gjatë vitit 2023”, ka thënë Maqedonci.
Largimi i ushtarëve të FSK-së ka marrë përmasa shqetësuese viteve të fundit. Gazeta Nacionale vazhdimisht ka raportuar për këtë fenomen. Vitin e kaluar dhjetëra ushtarë të FSK-së e kishin braktisur ushtrinë për të kaluar në Polici të Kosovës.
Nacionale ka raportuar se largimi i ushtarëve nga FSK-ja ka ndodhur edhe për shkak të padrejtësive që iu është bërë në trajnime dhe procesin e gradimeve.