Lajme
DemokraciaVOX| Kosovarët mërzitën për vdekjen e Albright’it, një gruaje gati i rrjedhin lotët
Demokracia
15:27 | 24 Mars 2022

Share:

Ish-sekretarja amerikane Madeleine Albright, gruaja e parë që mbante këtë post, dje është ndarë nga jeta në moshën 84 vjeçare.

Ajo ishte një prej zërave kryesorë në përkrahje të Kosovës gjatë dhe pas luftës, që nga Konferenca e Rambujesë në vitin 1999, shkruan Demokracia.com.

Albright do të mbahet mend për kosovarët si simbol i lirisë së Kosovës, të cilët vdekjen e saj e cilësuan si humbje të madhe.

Albright ndërroi jetë një ditë pas shënimit të përvjetorit të nisjes së bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë.

“Ajo ka qenë krahu i djathtë i ndihmës për pavarësinë e Kosovës. Është iniciatorja e parë e bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë. Më vjen shumë keq që ajo nuk mundi ta pres edhe këtë përvjetor të bombardimeve të NATO-s, sepse ka merituar gjithçka”, thotë një qytetar për DemokraciaVox.

Një qytetares pothuajse i rrodhën lotët derisa fliste për sekretaren Albright.

“Lajm i pikëlluar ka qenë. Ajo ka qenë një zonjë, e cila aq shumë na ka ndihmu neve, saqë tash kisha mujt me qajtë. Bill Clinton, zonja Albright dhe Toni Bleir na kanë shpëtu. Unë dhe familja ime jemi mirënjohës deri sa të jemi gjallë”, thotë ajo.

Ish-sekretarja Albright kishte kontribuar për lirinë e Kosovës gjatë viteve të vështira të luftës dhe të paqes. Për kontributin e saj të madh, Kosova e nderoi me Urdhrin e Lirisë.

Ndërkaq për kontributin e saj për pavarësinë e Kosovës, në Prishtinë në përvjetorin e 20-të të hyrjes së trupave të NATO-s, u zbulua busti në nder të saj. Në këtë përurim, Albright ishte bashkë me ish-presidentin Bill Clinton. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme