Lajme
Demokracia Plus i ndanë gjetjet e raportit për monitorimin e ndërmarrjeve publike
Demokracia
11:52 | 10 Gusht 2023

Share:

Organizata joqeveritare Demokracia Plus, ka ndarë gjetjet e raportit të fundit nga monitorimi i prokurimit publik për ndërmarrjet publike.

Sipas këtij raporti, ndërmarrjet publike mbulojnë fusha shumë të rëndësishme për mirëqenien e qytetarëve, si: grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave, pastrimin e hapësirave publike, mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra dhe furnizimin me ujë të pijshëm.

Hapi i parë për realizimin e këtij raporti ka qenë hulumtimi në platformën elektronike e-prokurimit, përmes së cilës është bërë hulumtimi fillestar dhe zgjedhja e tenderëve, ndërsa është fokusuar në tenderë për të cilët procedurat e tenderimit janë zhvilluar nga muaji prill deri në qershor të vitit 2023.

Nga ky raport i kësaj organizate përfshihen gjetjet mbi:

1) Furnizimin me pajisje për digjitalizimin e faturimit dhe bizneseve për nevoja të KRM Ekoregjioni;
2) Furnizimin me material higjienik për nevojat e kompanisë Hidroregjioni Jugor;
3) Vlerësimin e pronave të Ndërmarrjes Publike Banesore; dhe
4) Brendimin dhe digjitalizimin e ndërmarrjes lokale Hortikultura.

Gjetjet në këtë raport nga Kompania Rajonale e Mbeturinave “Ekoregjioni”, thonë se ka kufizuar konkurrencën duke kërkuar një çertifikatë ISO e cila nuk është relevante me natyrën e furnizimit. Si rrjedhojë, në këtë aktivitet ka aplikuar vetëm një operator ekonomik;

Ndërsa nga ndërmarrja publike rajonale “Hidroregjioni Jugo”, gjetjet tregojnë se kjo ndërmarrje ka nënshkruar kontratë 10,461.00 euro më pak se vlera e parashikuar, kjo si rezultat i mos analizimit të çmimit të tregut. Kështu duke vështirësuar përdorimin e këtyre mjeteve në këtë vit buxhetor.

Po ashtu, edhe “Ndërmarrja Publike Banesore”, pas dështimit të aktivitetit të prokurimit të vitit 2022, siç bënë të ditur ky raport, në aktivitetin e njëjtë të vitit 2023 ka bërë disa ndryshime në dosjen e tenderit, të cilat kanë ndikuar në uljen e numrit të ofertuesve.

Ndërmarrja publike lokale “Hortikultura”, nga gjetjet e raportit të fundit të Demokracia Plus, ka shpërblyer me kontratë operatorin ekonomik që nuk ka plotësuar kërkesat në dosje të tenderit, rrjedhimisht ka shpërblyer me kontratë operatorin ekonomik të papërgjegjshëm. Duket se kjo ndërmarrje nuk ka bërë vlerësimin e ofertave sipas kërkesave teknike dhe profesionale që i ka caktuar kjo ndërmarrje.

Të ngjashme