Raportimi i Demokracia.com për rritjen e ndjeshme të kostos së transmetimit të energjisë elektrike është konfirmuar edhe nga Ministria e Ekonomisë. Ministrja Artane Rizvanolli ka reaguar duke kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji të analizojë në detaje arsyet që kanë çuar në këtë rritje dhe të sigurojë që kostot e evitueshme të mos barten mbi qytetarët.
Javë më parë, Demokracia.com informoi për rritjen dramatike të kësaj kostoje, e cila ka ndodhur për shkak të linjave të bllokuara dhe politikave të ALPEX-it. Në një takim emergjent të zhvilluar ditën e djeshme, Ministrja Rizvanolli kërkoi nga ZRrE që të analizojë në detaje çmimin e kapaciteteve të transmisionit dhe të mos lejojë që konsumatorët të mbajnë kostot e evitueshme.
Në një komunikatë zyrtare të publikuar të martën, Ministrja Rizvanolli shprehu shqetësimin për rritjen e kësaj kostoje, duke përmendur në mënyrë specifike rritjen e çmimit të kapaciteteve të transmetimit, të cilat sipas raporteve të Demokracia.com kanë rritur për 71% krahasuar me vitin e kaluar.
Ministrja, kërkoi nga ZRrE të sqarojë në detaje këtë komponent të çmimit dhe të analizojë nëse operatorët kanë mundur të shmangin një pjesë të këtyre kostove. Ajo gjithashtu theksoi se në raste kur konstatohet se kostot janë të evitueshme, ato nuk duhet të transferohen te konsumatorët, por përgjegjësia duhet të mbetet te operatorët e përfshirë. Kjo qasje e ministres vjen në një kohë kur ZRrE është duke shqyrtuar kërkesat për tarifa të reja.
Një paradoks i madh ka ndodhur gjatë vitit 2024 në lidhje me importin e rrymës nga KESCO. Në shumë raste, pagesa për transportin e rrymës përmes linjave ndërkombëtare ka qenë më e lartë sesa vetë çmimi i rrymës në tregun e bursës. Vlerësohet se dhjetëra miliona euro janë shpenzuar për pagesat e linjave ndërkombëtare. Dyshohet se kjo situatë ka ndodhur pas bllokadës së “autostradës energjetike” me Shqipërinë, kur importi varej vetëm përmes Malit të Zi dhe Maqedonisë, e cila situatë është shfrytëzuar nga kompanitë e licencuara për tregtimin e energjisë.
Para se të dilnin informacione për shtrenjtimin e rrymës, Demorkacia.com kishte paralajmëruar se rritja e kësaj kostoje do të ndodhte për shkak të importit të lartë, veçanërisht për shkak të rritjes dramatike të kostos së transmetimit të energjisë. Krahasuar me vitin e kaluar, kur kostoja e rrugës së tregtimit të energjisë ishte 2-3 milionë euro, këtë vit ka shënuar një rritje të jashtëzakonshme, duke arritur në 30 milionë euro. Projeksionet tregojnë se kjo shifër pritet të rritet në 40 milionë euro vitin e ardhshëm. Demorkacia.com raportoi më 9 janar se këto kostot e larta do të mbulohen nga konsumatorët kosovarë përmes rritjes së tarifave të energjisë, të cilat pritet të hyjnë në fuqi në prill të këtij viti.
Më datën 13 janar, Demorkacia.com drejtonte një mori pyetjesh te ZRRE, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.
Kosova disponon linja transmetimi me të katër vendet fqinje – Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë, të cilat menaxhohen nga KOSTT për pjesën që i përket Kosovës. Këto linja shërbejnë për shkëmbimin dhe transferimin e energjisë elektrike ndërmjet Kosovës dhe vendeve të tjera, duke mundësuar lidhjen e tregut energjetik të Kosovës me atë ndërkombëtar. Ndërprerjet ose kufizimet në këto linja ndikojnë drejtpërdrejtë në koston dhe furnizimin me energji për konsumatorët.
Problemet janë përshkallëzuar më tej pas krijimit të bursës energjetike ALPEX, një iniciativë e përbashkët e KOSTT dhe OST-së së Shqipërisë. Dy linjat e interkoneksionit Kosovë-Shqipëri (400 kV dhe 220 kV) janë vënë ekskluzivisht në shërbim të ALPEX-it, duke bllokuar plotësisht qasjen e Kosovës për kalimin e energjisë jashtë kësaj berze. Si rezultat, lidhjet e Kosovës përmes Shqipërisë drejt tregjeve italiane, greke, maqedonase dhe malazeze janë mbyllur plotësisht.
Transporti i energjisë, më i shtrenjtë se vetë importi, është një prej çështjeve kryesore të identifikuara nga Demokracia.com. Kosova ka paguar deri në 400 euro për transportin e çdo megavati të energjisë, shumëfish më shumë se çmimi i vetë importit të energjisë. Ky paradoks ka ardhur si rezultat i politikave dhe praktikave që kanë vënë linjat ekskluzivisht në shërbim të tregtarëve të energjisë, duke krijuar një situatë ku qytetarët do të përballen me tarifa më të larta.
Ndër të tjera, Demokracia.com ka paralajmëruar se rritja e kostove të transmetimit të energjisë do të ndikojë drejtpërdrejtë në faturat e konsumatorëve, duke parashikuar që këto kosto të majme do të mbulohen nga rritja e tarifave të energjisë që pritet të hyjnë në fuqi në prill të këtij viti. /Demokracia.com/