Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti gjatë takimit me kryetarët e komunave pas vërshimeve të ditëve të fundit tha se do të ndajë një fond emergjent nga rezervat shtetërore megjithëse dëmet janë shumë të mëdha dhe se do të jetë vështirë për buxhetin e komunave.
“Duhet të jemi real, do të jetë vështirë edhe për buxhetin e komunës, edhe për buxhetin qendror që të kompensohen të gjitha dëmet… Një fond emergjent nga rezervat shtetërore dhe sa më parë që vijnë vlerësimet e juaja, ne i shqyrtojmë, e bëjmë një komision prej tre ministrave, sekretarëve dhe i shqyrtojmë dhe besoj gjatë javës së ardhshme mund të marrim edhe vendime për ndarje të mjeteve”, tha Hoti.
Në këtë takim me kryetarët e komunave, Hoti ka diskutuar edhe për buxhetin e vitit 2021 dhe për shpërndarjen e fondit për rimëkëmbje ekonomike.
“Nesër kemi mbledhje të qeverisë, Ministria e Financave e ka përgatitur vendimin për masat për shpërndarjen e fondit për rimëkëmbje ekonomike që e kemi pjesë të buxhetit të vitit 2021. Pjesë e këtij vendimi do të jetë edhe fondi prej 7.5 apo 7.6 milionë euro t’iu shpërndahet komunave për të kompensuar grantin e përgjithshëm” u shpreh Hoti.
Pagesat e mbetura nga viti 2020 ishin gjithashtu temë e diskutimit në këtë takim virtual.