Një 15 vjeçar me inicialet E.V., emër i njohur për redaksinë, pasi që po kërkohej nga Policia e Kosovës si i dyshuar për vrasjen që kishte ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë është vetëdorëzuar në stacionin policor.
E.V. dyshohet se e ka vrarë të miturin 14 vjeçar me inicialet R.H., shkruan Demokracia.com.
Menjëherë pas vrasjes së të miturit, pa i pasur ende as informacionet e sakta rreth ngjarjes, ministrja Albulena Haxhiu ka reaguar duke thënë se vrasja ka ndodhur pranë një shkolle.
Demokracia.com nga burime të sigurta ka mësuar se rasti nuk ka ndodhur as rreth shkollës dhe as që ndërlidhet ndonjë gjë me shkollën, pasi që i dyshuari E.V., viti i lindjes 2007, është nxënës i një shkolle krejt tjetër.
Policia pas një procesi të shpejtë hetimor kishte arritur ta identifikonte të dyshuarin dhe e kishte kërkuar edhe në vendbanimin e tij, por më pas ai ishte vetëdorëzuar.
“Është tronditës fakti që tashmë kemi humbur një të mitur pranë ambienteve të shkollës. Fëmijët tanë duhet të kenë siguri të plotë, që madje as aksidentalisht të mos iu ndodhin të tilla ngjarje. Institucionet tona duhet edhe më tej të rrisin efikasitetin në të gjitha drejtimet. Nga njëra anë duhet të veprojnë organet e rendit, e në anën tjetër duhet forcuar institucionet arsimore”, kishte shkruar ndër të tjera ministrja Albulena Haxhiu, përcjell Demokracia.com.
Si nënë, Haxhiu kishte shprehur shqetësim për ngjarjet në ambientet e shkollës, përkundër që ngjarje nuk kishte të bënte asgjë me shkollën. /Demokracia.com/