Lajme
Deliu për ngjarjen tragjike në Prishtinë: Festimin e Rinën i kam njohur që nga fillimet
Demokracia
19:31 | 09 Maj 2025

Share:

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar pas ngjarjes tragjike të ndodhur sot në Prishtinë, ku humbi jetën dizajneri i njohur kosovar, Festim Isufi. Sipas raportimeve, në të njëjtin incident ka mbetur e lënduar edhe partnerja e tij, Rina, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, reagimet në rrjetet sociale nuk kanë munguar nga shumë figura publike, përfshirë edhe deputeten e PDK-së.

“Festimin e Rinën i kam njohur që nga fillimet. Që në ditët e para kur hapën studion, e cila nuk ishte thjesht një hapësirë mode, por një vend i krijimtarisë, pasionit dhe përkushtimit. Kam pasur rastin të vishem disa herë me kreacionet e tyre, veshje që mbartnin histori, që përçonin shpirtin e një pune të bërë me dashuri për çdo detaj,” ka shkruar Deliu-Kodra.

Ajo më tej e ka cilësuar ngjarjen si tronditëse dhe të papranueshme, duke theksuar se dhuna nuk ka vend në shoqëri.

“Ngjarja e sotme është e rëndë, tronditëse dhe e papranueshme. Dhuna nuk ka justifikim. Çdo akt i tillë është plagë për shoqërinë tonë, dhe përgjegjësinë për t’i thënë ndal e kemi të gjithë. Më vjen keq për përfundimin tragjik të një jete që dikur krijonte mrekulli. Shërim të plotë dhe të shpejtë për Rinën”, përfundon ajo.

Sipas informatave nga autoritetet, 34-vjeçari ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga një mjet i ftohtë, ndërsa partnerja e tij ka pësuar lëndime të ngjashme dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetë. Rrethanat dhe motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërkohë që policia po zhvillon hetimet për të zbardhur plotësisht rastin. /Telegrafi/

Të ngjashme