Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka shkruar në lidhje me gjendjen e bllokuar në Kuvendin e Kosovës, i cili edhe pas 11 seancave mbetet i pakonstituuar.
Ajo përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se institucionet janë kthyer në një teatër të lodhur politik ku gjithçka përsëritet, përveç vullnetit për zgjidhje si dhe diskutimet janë bërë të mërzitshme, të zbrazëta dhe të shkëputura krejtësisht nga problemet që kanë qytetarët.
“Jashtë sallës të Kuvendit, nuk kalon ditë pa skandale, afera dhe emra të rinj të përfshirë në krizën e përgjegjësisë. Kjo qasje bllokuese, është një qasje e qëllimshme, e ndërtuar mbi arrogancën politike, indiferencën ndaj qytetarit dhe një kulturë të përçmimit institucional”, ka shkruar ajo në Facebook.