Lajme
Delegacioni shqiptar niset të hënën në Bruksel
Demokracia
14:54 | 16 Korrik 2022

Share:

Pas miratimit nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të propozimit francez, ka reaguar kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se më në fund nuk ka pengesa për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Rama në një postim në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se delegacioni shqiptar do të niset të hënën në Bruksel për ta filluar këtë pjesë të re rruge, duke filluar negociatat e anëtarësimit.

“Delegacioni shqiptar do të niset të hënën në Bruksel për ta filluar këtë pjesë të re rruge, duke filluar negociatat e anëtarësimit. Do t’ia dalim në krye edhe kësaj pjese të re përpjekjesh, duke u lidhur më ngushtë me shqiptarët dhe duke e synuar me forca të reja majën ku do ta ngjisim me se s’bën Shqipërinë”, shkruan Rama.

“Faleminderit të gjithëve ju, që më mbështesni e inkurajoni apo më ngacmoni e nxini jetën me komentet tuaja”, shkruan më tej ai.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të shtunën ka miratuar propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, që do t’i hapë rrugën procesit të integrimit evropian.

Propozimi u miratua me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur. Deputetët e opozitë nuk morën pjesë në procesin e votimit.

Deputetët votuan për shtatë konkluzione të hartuara nga grupi parlamentar i Lidhjes Social Demokrate (LSDM), e që kanë të bëjnë me garancitë për gjuhën dhe identitetin maqedonas./Demokracia.com/

Të ngjashme