Lajme
Delegacioni “kinez” nga Kosova “bllokon” New Yorkun | Presidentja, kryeministri, kryediplomatja e zëvendësja e saj me ekskursion në ShBA, harrohen premtimet për kursimet e parasë publike
Demokracia
14:36 | 30 Shtator 2024

Share:

“Do të jemi Qeveri e kursimit të parasë publike. Do të niset një program nacional i kursimit 4 vjeçar nëpërmjet të të cilit do të reduktohen shpenzimet e luksit publik dhe do të evitohen të gjitha shpërdorimet financiare”.

Ky është premtimi i pambajtur i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i dhënë në fillim të shkurtit të vitit 2020, gjatë votimit të Qeverisë Kurti I, e cila u rrëzua vetëm 4 muaj më vonë, por duke u rikthyer sërish pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit 2021, shkruan Demokracia.com.

Nëse Kurti do ta mbante këtë premtim, kabineti i tij qeveritar dhe institucionet e tjera që dolën pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, nuk do të lejonin që të shpenzonin paranë publike pa asnjë kontrollë në vizita jashtë vendit.

Këto vizita “zyrtare” janë shndërruar në vizita ekskursioni për të parë e shetitur shtete të ndryshme, pasi u mungojnë rezultatet konkrete.

Lexo më shumë:

Marakli të luksit, Qeveria Kurti për tri vjet mbi 28 milionë euro në udhëtime dhe darka

DELEGACIONI “KINEZ” I KOSOVËS NË NEW YORK

Gati si çdoherë tjetër, edhe kësaj radhe me rastin e hapjes së Sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla – Schwarz, së bashku me zyrtarë të kabineteve të tyre, kanë lënë Evropën dhe prej javës së fundit të shtatorit janë “zhvendosur” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri Kurti, përveç stafit mbështetës, numri i të cilëve nuk dihet, me vete ka marrë edhe bashkëshorten e tij.

 

Lexo më shumë:

Izolimi i kryeministrit nga ShBA dhe BE | Rrugëve të New Yorkut, Kurti ecën i vetëm dhe i trishtuar

Albin Kurti bëhet “konsull” në New York, si i sanksionuar arriti t’i mbajë disa takime vetëm në Konsullatën e Kosovës

 

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla – Schwarz, gjithashtu përveç stafit mbështetës, me vete ka marrë edhe zëvendësen Liza Gashi.

Gërvalla e Gashi janë duke çuditur të gjithë, pasi në disa prej ngjarjeve ato janë parë së bashku, ndonëse është e logjikshme që vetëm në vende ku nuk arrin të shkojë një ministër, të mund ta dërgojë zëvendësin e tij. Por, ky rregull nuk vlen për dyshen Gërvalla – Gashi.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk ia ka lënë “lehtë” as kësaj radhe në vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përveç anëtarëve të kabinetit të saj, të cilët i ka marrë me vete, as bashkëshortin Prindon Sadriun nuk e ka lënë në Kosovë. Ajo ndodhet në ShBA që nga 19 shtator.

Sidoqoftë, pavarësisht numrit të madh të delegacionit nga Kosova, deri më tani asnjë rezultat konkret nuk është njoftuar. /Demokracia.com/

Të ngjashme