Prokuroria Speciale ka autorizuar hetime nën dyshimin për një vepër të rëndë penale ndaj Vali Corleones, figurës kontraverse të shou-bizit nga Gjilani.
Policia e Kosovës, bazuar në një urdhëresë të gjykatës, bastisi shtëpinë dhe lokalet në pronësi të Valentino Corleone në Gjilan të enjten.
Sipas njoftimit të policisë, hetimet ndaj Corleones kanë nisur shkaku i një video në rrjetin social TikTok, ku Vali kishte prezantuar para me ngjyrë.
Lidhur me këtë bastisje ka reaguar Vali, i cili ka thënë se kjo ka ndodhur për shkaqe xhelozie dhe se posedon deri 1 milionë euro cash.
“Njerëzit që më duan të mos shqetësohen sepse kjo nuk është e para herë që më vijnë në kontroll policia në shtëpitë e mija, por ky është ritëm i njëjtë 20-vjeçar. Ky ritëm i njejtë 20-vjeçar që më vijnë në kontroll policia pa asnjë arsye dhe fakt, kësaj here do të jetë më ndryshe, sepse ai prokuror i cili ka nënshkrua për me ardh te shtëpia ime për kontroll pa i shiku gjërat dhe elementet si janë real, ai prokuror do të dal para gjykatës, do e dërgojmë nëse është nevoja edhe në Gjykata të Evropës sepse më kanë thënë 100 mijë euro janë publiku në “TikTok” cash, por unë posedoj nga historia e bankës që posedoj deri në 1 milionë euro cash, me fakte. Është xhelozi e madhe që është duke u krijuar nga disa persona dhe një linjë, po ashtu më kanë shqetësuar mua dhe familjen time dhe tani familja është duke e bërë një kontroll te psikiatri nga nervoza dhe trauma që ua kanë shkaktuar kontrolla e Policsë, gjithashtu dhe unë do të mbledh gjithë historiatinë e bankës, elementet e psikiatrisë, gjërat e tjera dhe do të paditet në gjykatën më të lartë. Unë jam Kingi që 20 vjet shikojnë xhelozat mem rrëzu, por nuk kanë shans kurrë me arrit këtë në planetin Tokë – se une di edhe ndryshe, di edhe me kanun, faleminderit të gjithëve”, u shpreh Vali Corleone për Express.
Corleone ndodhet në arrati nga Policia e Kosovës. Ai ndodhet nën hetime nga Prokuroria Speciale për pastrim të parave, ka thënë policia përmes një deklarate për media të enjten.