Lajme
Deklarohet e pafajshme e akuzuara për uzurpimin e një prone
Demokracia
12:27 | 25 Maj 2022

Share:

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, e akuzuara A.G është deklaruar e pafajshme për uzurpimin e një prone.

Një deklarim të tillë, e akuzuara e ka bërë pas leximit të aktakuzës nga prokurori Rrahim Podvorica, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk e kam uzurpu, nuk jam uzurpatore”, tha e akuzuara.

Pas deklarimit të të akuzuarës A.G, prokurori Podvorica në fjalën hyrëse ka thënë se mbeten pranë aktakuzës dhe provave të propozuara në të, mbi bazën e të cilave prokuroria do të mundohet të vërtetojë gjendjen faktike në këtë çështje penale.

Fjalën e prokurorit e ka mbështetur përfaqësuesi i të dëmtuarit, avokati Qëndrim Reçica, duke shtuar se i bashkëngjitet ndjekjes penale ndaj të akuzuarës.

Ndërsa, mbrojtësja e të akuzuarës A.G, avokatja Medina Mehmeti në fjalën hyrse e ka kundërshtuar në tërësi aktakuzën e prokurorisë si të pabazuar.

Sipas saj, në aktakuzë dhe në shkresat e lëndës që i janë bashkëngjitur të njëjtës, nuk ka asnjë dëshmi të vetme e cila do të përbënte së paku një dyshim të arsyeshëm se e njëjta të ketë kryer veprën penale të uzurpimit.

Sipas Mehmetit, kjo aktakuzë është ngritur vetëm në bazë të një aktgjykimi të gjykatës, me të cilin është caktuar masa e sigurimit të kërkesëpadisë.

“Nga provat e bashkëngjitura në aktakuzë, shifet se kemi të bëjmë me një raport të karakterit juridiko-civil për të cilin është duke u zhvilluar procedura civile në këtë gjykatë, e që e pandehura do të dëshmojë faktet për ekzistimin e pronësisë mbi këtë pjesë të pronës kontestuese”, tha Mehmeti

E njëjta shtoi se në këtë rast nuk qëndrojnë elementet e veprës penale të uzurpimit, ngase e mbrojtura e saj nuk e ka pushtuar apo marrë në mënyrë të kundërligjshme pronën e askujt, por vetëm e ka shfrytëzuar pronën e saj.

Avokatja tha se pas administrimit të prorva, dëgjimit të të akuzuarës dhe dëshmitarit të propozuar nga ajo B.V, do të vërtetohet se në veprimet e të mbrojturës së saj nuk ka asnjë veprim inkriminues dhe se e njëjta nuk e  ka kryer asnjë vepër penale e cila mund të ndiqet.

Propozimin për dëgjimin e dëshmitarit B.V nuk e kundërshtoi prokurori Podvorica, ndërsa propozoi që për zgjidhjen e kësaj çështje gjykata të dalë në vendshikim së bashku me ekspert të gjeodezisë.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Reçica e kundërshtoi propozimin e palës mbrojtëse për dëgjimin e dëshmitarit, pasi konsiderojnë se dëgjimi i të njëjtit është jorelevant në këtë çështje panale, kurse nuk e kundërshtoi propozimin e prokurorisë për dalje në vendshikim.

Propozimin për daljen në vendshikim me ekspert e mbështeti mbrojtësja e të akuzuarës, avokatja Mehmeti.

Më pas, gjykatësi Avdirrahman Gashi aprovoi propozimi i palës mbrojtëse për dëgjimin e dëshmitarit B.V nën rrethanat e propozuara si dhe u aprovua propozimi i prokurorisë që të bëhet nxjerrja e provës me dalje në vendshikim në pjesën e paluajtshmerisë në Lipjan, së bashku me ekspert të gjeodezisë, me qëllim të vërtetimit të gjendjes faktike.

Për ekspert të kësaj lamie u caktua Ramadan Hoxha, të cilin gjykata do ta ftojë me thirrje të rregullt.

Në këto rrethana, seanca  e sotme u shty ndërsa e radhës u caktua më 27 qershor 2022.

Sipas aktakuzës së ngritur më 14 janar 2022, e akuruara A.G po ngarkohet se nga 1 qershor 2020 e në vazhdimësi, në mënyrë të kundërligjshme ka pushtuar pronën e paluajtshme të të dëmtuarit R.L, në atë mënyrë që pa autorizim ka hyrë në posedim faktik të paluajtshmërisë – parcelës me sipërfaqe prej 40 m2, e cila gjendët në vendin e quajtur “Varosh Çesma”.

Aktakuza thotë se me këtë veprim, të dëmtuarit i pamundësohet shfrytëzimi i qetë, faktik dhe juridik i pasurisë së vet, në këtë rast të pjesës së parcelës në fjalë.

Me këtë, A.G akuzohet se ka kryer veprën penale “Uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme” neni 320, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim deri në dy vjet. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme