Lajme
Deklarimet e Kurtit në Kuvend konsiderohen ndërhyrje flagrante në drejtësi dhe targetim i qëllimshëm i prokurorëve e gjyqtarëve
Demokracia
13:00 | 30 Prill 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës, e cila ishte mbajtur javën e kaluar, kishte akuzuar rëndë prokurorin Blerim Isufaj.

Shefi i ekzekutivit në këtë seancë kishte ngritur hipoteza të reja në lidhje me vdekjen e ish-shefit të Agjencionit Kosovar të Privatizimit (AKP), Dino Hasanaj dhe ish-shefit të informimit në Qeverinë e Kosovës, Bedri Sopa.

“Bëhet fjalë për një prokuror i cili është i mirënjohur në skenën tonë publike që rastin e ish shefit të AKP-së, Dino Hasanaj e kategorizoj vetëvrasje, ndërkaq rastin e vetëvrasjes së ish drejtorit të informimit në kryeministri Bedri Sopa e shndërroj në vrasje. Dhe njëkohësisht bëhet fjalë për një prokuror i cili asnjë rast nuk e ka të fituar në Gjykatë. Dhe pikërisht ky prokurë dëshiron të bëhet kryeprokuror përkundur vullnetit të presidentes së Republikës së krye parlamentarit të Kosovës dhe të kryeministrit të Qeverisë”, kishte thënë shefi i ekzekutivit gjatë një seance në Kuvendit e  Kosovës.

Demokracia.com ka dërguar pyetje në Prokurorin e Shtetit për të pyetur se a do të interviston kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, pas ngritjeve të dyshimeve në lidhje me deklaratën e dhënë në Kuvendin e Kosovës, por të njëjtit deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer përgjigje.

Nga ana tjetër, Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (IKD), Ehat Miftaraj, në një përgjigje me shkrim për Demokracia.com ka thënë se në Kuvend shpesh përdoret fjalor joparlamentar dhe ngritën hipoteza duke i shfrytëzuar imunitetin nga ndjekja penale dhe paditë civile.

“Kryeministri Kurti në Kuvendin e Kosovës nuk ka ofruar fakte të reja lidhur me trajtimin e rastit të z. Hasanaj, por ka ngritur dyshime lidhur me mënyrën se si është trajtuar ky rast nga ana e Prokurorisë, duke e politizuar një çështje kaq të ndjeshme. Kuvendi i Kosovës është vendi ku deputetët dhe kabineti qeveritar diskutojnë për çështje të interesit të përgjithshëm dhe është vendi ku shumë gjëra diskutohen edhe përmes një fjalori shpesh herë jo parlamentar dhe duke ngritur në publik hipoteza pa argumente dhe fakte relevante, duke shfrytëzuar edhe privilegjet e imunitetit nga ndjekja penale dhe paditë civile”, ka thënë Miftaraj.

Ai ka kërkuar që mos të targetohen gjyqtarët dhe prokurorët ku dëmtohet rëndë pavarësia e gjyqësorit.

“Sikurse në një shtet si Kosova me ndarje te pushteteve në asnjë rrethanë nuk duhet të debatohet dhe diskutohet nga deputetet apo qeveria për çështje të caktuar gjyqësore apo të targetohen gjykatës apo prokurorë të caktuar, pasi kjo cenon rëndë pavarësinë e gjyqësorit dhe dëmton rëndë vlerat mbi të cilat funksionon Kushtetuta e Kosovës”, ka potencuar Miftaraj. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme