Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se “është e pabesueshme se në çfarë gjendje mendore është kryeministri Kurti, kur flet për luftë”.
Pas mbledhjes së kryesisë, ai tha se çështja e migrimit sot në vendin tonë është shndërruar në një problem tepër serioz
“Është e pabesueshme se në çfarë gjendje mendore është duke operu kryeministri jonë. Në Republikën e Kosovës kemi prezencën e NATO-së, fuqive të mëdha që garantojnë sigurinë tonë. Nuk shoh arsye që kryeministri bën deklarata të tilla, pos për ta zhvendosë vëmendjen prej problemeve që qeveria e tij po tregohet e paaftë me i trajtu. Pra, çështja e migrimit sot në vendin tonë është shndërru në një problem tepër serioz. Nuk mbaj mend asnjëherë nga viti 1999 që kemi pasë kaq shumë kërkesa me lëshu vendin tonë. Problemet tjera që jemi duke u ballafaqu, me grevat, me shëndetësinë ku kryeministri jonë ka marrë drejtimin e një Komisioni shkaku i paaftësisë së ministrisë së tij për me i trajtu problemet në shëndetësi, dhe tani kryeministri për shkak të gjithë këtyre problemeve, me inflacionin dhe ngritjen e çmimeve që kanë ndodhë në Kosovë ku muaji është i papërballueshëm, prandaj deklaratat e kryeministrit nuk janë asgjë tjetër veç me e tërheq vëmendjen prej problemeve të brendshme të dialogut”, tha ai.
Ai i bëri thirrje kryeministrit dhe ministres së Arsimit, Arbërie Nagavcit, të gjejnë urgjentisht një zgjidhje me sindikatat.
“Po hyjmë në javën e katërt që mësimi në Kosovë nuk po mbahet. Janë rreth 320 mijë nxënës të cilët nuk po e vijojnë mësimin, rreth 30 mijë mësimdhënës të cilët s’po e vazhdojnë punën e tyre. Kjo është e papranueshme dhe është e papranueshme kryeneçësia e Kurtit i cili është përgjegjës direkt për këtë situatë e cila është shkaktuar në arsim. Dëm i madh që po i shkaktohet mbi të gjitha të ardhmes së Kosovës. Humbja e mijëra orëve të mësimit dhe mosshqetësimi fare i qeverisë është e paprecedentë. I bëjmë thirrje urgjente Kurtit dhe Nagavcit të ulen me sindikatat dhe të gjejnë zgjidhje”, tha ai.