Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, me rastin e 33-vjetorit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka thënë se akti i miratuar nga 114 delegatë më 1990, ishte shprehje e aspiratave të popullit të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi.
“Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut ishte shprehje e aspiratave të popullit tonë për liri, demokraci dhe pavarësi, e cila i parapriu Kushtetutës së Kaçanikut, si dhe proceseve tjera në një rrugë të gjatë e plot sakrifica, që kulmoi me shpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran”, ka shkruar Krasniqi.
Ajo është konsideruar si një prej akteve politiko-juridike më të rëndësishme në historinë e Kosovës nga kreu i PDK-së, për shkak se shënoi pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar kështu trajtim të barabartë me republikat e atëhershme socialiste brenda Jugosllavisë.
“Sot nderojmë të gjithë delegatët e guximshëm të popullit të Kosovës, të cilët me këtë deklaratë e shpallën Kosovën njësi të pavarur dhe të barabartë me të gjitha Republikat tjera të ish-Jugosllavisë, ndonëse ndërtesa e Kuvendit ku ata ishin mbledhur, ishte e rrethuar nga policia serbe”.