Lajme
Dejona Mihali “bjen në tjetër hesap” pas skandalit me librat e nxënësve, tash i vërsulet një biznesmeni tjetër
Demokracia
21:10 | 21 Gusht 2023

Share:

Koordinatorja për Komitete në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, e cila njihet për gjuhën e ashpër dhe akuzuese, kësaj radhe i është vërsulur biznesmenit Ekrem Lluka, teksa nuk i ka “harruar” as mediat apo partitë opozitare.

Një reagim i Mihalit vjen pasi të hënën, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, njoftoi se po e shqyrtojnë mundësinë që paratë për blerjen e teksteve shkollore t’ua transferojë prindërve.

Pas deklaratave të Nagavcit, shtëpia botuese “Dukagjini” – që është në pronësinë e Llukës – ka thënë se ka rritje të çmimeve të teksteve shkollore nga viti në vit.

Në reagim thuhet se kjo shtëpi botuese ka bërë ofertë në ministri me çmim rreth 4% më lirë krahasuar me vitin e kaluar.

Mirëpo, Mihali shprehet se tash është bërë traditë që “sa herë ka ndonjë vendim që ndryshon kahjen e gjërave me qëllim interesin publik, shfaqet gjithnjë një grup financiar i stërmadh, i bërë i tillë jo nga talenti por nga privilegjet e hershme klientelist”.

”Pas tij menjëherë shpërthen ekspertiza e ish ministrave dhe deputetëve të opozitës, shoqëruar padyshim nga ekspertët skrupuloz të fushës. Kjo ndodhi dhe sot me çështjen e teksteve shkollore. U lajmërua pas konferencës së ministres së Arsimit, “Dukagjini” përfituesi i biznesit me tekste shkollore, dhe me radhë LDK, PDK, pastaj ekspertët e ethshëm që mendojnë ditë natë për shkollën dhe dijen”, shkroi ajo në Facebook.

Mes tjerash, ajo përmendi edhe kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, Memli Krasniqin e PDK-së, Lumir Abdixhikun e LDK-së dhe “televizionet private”.

”Pyeteni Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale çka mund të bëjë ai në këtë drejtim. I ka çunat e task forcës gati. Ose le ta marrë edhe pronarin e “Dukagjinit”, z. Lluka, Lumiri, pastaj Memli, ta sigurojnë që janë ‘Pas tij” siç e telefonojnë Shkëlqim Devollin këto kohë. Ah, edhe një komision hetimor, s’e harrova, për tekstet shkollore. Ta drejtojë Enver Hoxhaj, ish ministri që e njeh mirë këtë lëmi, bashkë me Akademik, deputet Kujtim Shalën, që e njeh nga afër dhe nga brenda “Dukagjinin”. Pastaj le të shpërthejnë si fishekzjarre portalet dhe TV private Pse jo? Kush si ata e mbron dijen dhe interesin publik? Askush”, shtoi ajo.

 

Të ngjashme