Lajme
“Dehja” e mesnatës për Zajednicën, kosovarët informohen nga Lajçaku çka po ndodh me shtetin e tyre
Demokracia
10:53 | 26 Janar 2023

Share:

Ishte vetëm emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, që informoi të dalat nga takimi që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si dhe numrin dy të Qeverisë, Besnik Bislimi.

Ndonëse Qeveria Kurti vazhdon të mbajë popullin në terr informativ, po janë emisarët ata që po njoftojnë për progresim të “Zajednicës”, shkruan Demokracia.com.

Lajçak nëpërmjet një njoftimi zbardhi fatin e Kosovës që po e përcaktonin Kurti e Bislimi në orët e para të së enjtes.

I njëjti bëri të ditur se shefi dhe zëvendës-shefi i Qeverisë u pajtuan për zbatimin e marrëveshjeve të kaluara nga Brukseli. Këtu përfshihet edhe “Zajednica”.

“Ne gjithashtu ramë dakord që të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut duhet të zbatohen plotësisht”, deklaroi ndër të tjera emisari i BE-së.

Qeveria Kurti ka zgjedhur terrin informativ përpara transparencës e llogaridhënies tash e sa ditë.

Kurti nuk pati deklarim publik pas takimit me pesë emisarët ndërkombëtarë, nuk përmendi gjë në mbledhjen e Qeverisë së mbajtur dje e as nuk konfirmoi nëse do të marrë pjesë në takimin e organizuar nga ambasada e SHBA-së në Prishtinë për çështjen e Asociacionit, i cili pritet të mbahet më 31 janar. /Demokracia.com/

Të ngjashme