Lajme
Dehari bëri hile, në sallë ishin 100 deputetë, Cakolli: Raporti për mandatet do të miratohej me 51 vota
Demokracia
14:34 | 17 Prill 2025

Share:

Lëvizja Vetëvendosje ka mundur sot ta votojë raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandatave me shumicën e deputetëve prezentë.

Në seancën e sotme konstituive 100 deputetë kanë qenë në sallë dhe me shumicën e thjeshtë prej 51 votave për raporti ka mundur të kalojë për t’i hapur rrugë betimit të deputetëve.

Megjithatë, kryesuesi Avni Dehari, deputeti i zgjedhur më i vjetër i kësaj legjislature, ndërpreu seancën pavarësisht se pati kuorum në sallë.

Eugen Cakolli nga KDI ka sqaruar për Gazetën Express se për votimin e këtij raporti është dashur shumica e thjeshtë e deputetëve të pranishëm.

“Për raportin është shumica e thjeshtë (e atyre që janë të pranishëm dhe votojnë)”, tha Cakolli.

Ai tha se me 51 vota do të miratohej raporti.

Po ashtu, Cakolli shtoi se ndërprerja e seancës nga kryesuesi Avni Dehari përbën shkelje.

Dehari sot e ndërpreu seancën dhe tha se e njëjta do të vazhdojë më 19 prill, në orën 12:00.

Ai si arsye për ndërprerje tha se gjatë konsultimeve me përfaqësuesit e partive politike, nuk kishte konsensus se si të shkohet përpara.

Të ngjashme