Lajme
Degradimi i Republikës | Kurti i jep fuqi ministrit të parëndësishëm të pushtetit lokal që t’i kundërpërgjigjet fuqisë botërore, SHBA-së
Demokracia
20:05 | 13 Shtator 2023

Share:

Elbert Krasniqi është Ministër i Pushtetit Lokal. Ai është i parëndësishëm që nga momenti kur politikat kalojnë kufirin e një komune.

Por, kryeministri Albin Kurti, që ka lëkundur seriozisht marrëdhëniet miqësore e shtetërore të Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i ka dhënë mundësinë atij që t’i kundërpërgjigjet fuqisë botërore dhe aleatit të madh të shqiptarëve, shkruan Demokracia.com.

Gjuha që zgjedh ky ministër, ashtu si shefi i tij në Qeveri, për të komunikuar në distancë me zyrtarët e lartë amerikanë, është e turpshme dhe kalon kufijtë e një përfaqësuesi të një shteti që historinë e ka të lidhur pashmangshmëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një dekaratë dhënë mediave nga i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, se “nëse doni të keni zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbëve, mendoj se dorëheqjet janë rruga më e shpejtë, më e lehtë. Peticioni si nismë nuk është provuar ndonjëherë më parë. Në fakt, nuk ekzistojnë shumë nga rregulloret dhe ligjet për këtë. Megjithatë, po kërkojmë për çfarëdo mundësie brenda Kushtetutës, që do të mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja”, ka nxitur reagimin e Qeverisë së Kosovës në mënyrën më të vrazhdtë të mundur.

Edhe pse kjo deklaratë e Ecobar është plotësisht korrekte, pasi përmend Kushtetutën e Republikës së Kosovës si dokument që duhet të respektohet, një ministër si Elbert Krasniqi, që me urdhër të shefit të tij, Albin Kurti, po e zhvlerëson Kushtetutën e Republikës së Kosovës në Udhëzime Admnistrative, ka vendosur që t’iu flasë Shteteve të Bashkuara të Amerikës me gjuhën që flasin zyrtarët e shteteve që nuk kanë raporte miqësore me fuqinë botërore.

Ky ministër, që guximin e merr nga shefi i tij, i cili poashtu ka shënuar rekordin e marrëzisë duke e quajtur naiv sekretarin amerikan, Blinken, e ka kualifikuar kërkesën e Escobar për dorëheqjen e kryetarëve si një kërkesë që vjen nga Serbia, shkruan Demokracia.com.

“Në të kaluarën kryetarët në veriun e vendit kanë qenë në dispozicion të Listës Serbe dhe grupeve kriminale dhe asnjëherë në dispozicion të qytetarëve, udhëzimi administrativ është proces demokratik… dhe gjithçka tjetër nuk është kërkesë e qytetarëve atje as kryetarëve të komunave, janë kërkesa të Beogradit”, ka thënë ministri i parëndësishëm i Kurtit, Elbert Krasniqi.

Gjuha që ka zgjedhur ky ministër të komunikojë publikisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është kundër interesave të Republikës së Kosovës dhe për më tepër ato cenojnë rëndë raportet ndërshtetërore edhe me shtetet tjera.

Gjuha e Kurtit dhe e ministrit të tij është një paralajmërim se me çfarë mund të përballen edhe për shtetet tjera, sidomos evropiane, që kanë mbëshetur dhe mbështetin fuqishëm Republikën e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rolin e tyre të pazëvendësueshëm në çlirimin, pavarësimin dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar. E poashtu, ky rol është i madh edhe në çështjen kombëtare shqiptare në përgjithësi.

Albin Kurti dhe Elbert Krasniqi duhet ta njohin këtë rol, në të kundërtën ata nuk përfaqësojnë interesat e Republikës së Kosovës. /Demokracia.com/

Të ngjashme