Lajme
“Defender Europe 25” nis të dielën, forcat aleate të NATO-s zhvillojnë stërvitje në Shqipëri dhe Kosovë
Demokracia
15:14 | 20 Maj 2025

Share:

Më 25 maj Shqipëria do të mirëpresë njërën nga stërvitjet më të mëdha ushtarake shumëkombëshe në Evropë, të njohur si “Defender Europe 25”.

Kështu ka njoftuar ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu i cili ka shtuar se kjo stërvitje do të jetë nën drejtimin e Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (USEUCOM).

Në kuadër të kësaj stërvitjeje të përbashkët, forcat e NATO-s dhe shteteve partnere do të angazhohen në ushtrime ushtarake në territorin e Shqipërisë dhe Kosovës, me fokus në disa skenarë operativë jetikë për sigurinë rajonale dhe aleate.

“Më 25 maj, Shqipëria mirëpret një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake shumëkombëshe: Defender Europe 25, e drejtuar nga Komanda Evropiane e SHBA (USEUCOM). Forcat e NATO-s dhe partnere do të stërviten në Shqipëri dhe Kosovë për mbrojtjen e objekteve kritike, operacione sulmuese dhe mbrojtëse, si dhe për sigurinë në pika kyçe dislokimi”, ka shkruar Vengu.

Ministri ka shtuar se ky është një test i ndërveprueshmërisë dhe një mesazh i qartë se NATO është e bashkuar.

Stërvitja Defender Europe organizohet çdo vit nga ushtria amerikane në bashkëpunim me aleatët e NATO-s dhe ka për qëllim forcimin e gatishmërisë ushtarake, rritjen e besueshmërisë strategjike dhe garantimin e sigurisë kolektive në rajon.

Të ngjashme