Lajme
Deçan: Apeli vërteton dënimin prej 11 vitesh burgim ndaj të pandehurit që kreu vrasje para 32 vitesh
Demokracia
16:43 | 03 Prill 2022
Ilustrim

Share:

Gjykata e Apelit e ka konsideruar të ligjshëm përfundimin e Gjykatës së Pejës, se ishte Hasan Zenelaj, i cili së bashku me vëllaun e tij tani të ndjerë, S.Z  para 32 vitesh nga hakmarrja, kishte vrarë 25 vjeçarin Zekë Ukaj në qendër të Deçanit.

Për këtë vrasje fillimisht, ishte dënuar vëllau i Hasanit, S.Z me 11 vite burgim në shtator të vitit 1991, ndërsa sipas Prokurorisë i pandehuri Hasan pas vrasjes ishte arratisur duke ndryshuar emrin nga Besim në Hasan, deri kur në vitin 2019, ishte arrestuar në Zvicër përmes urdhërarrestit ndërkombëtar.

Tani ndaj tij, Apeli ka vërtetuar dënimin prej 11 vitesh burgim të cilën e kishte shqiptuar Gjykata e Pejës në gusht të vitit 2021, ku kjo e fundit, për të dytën herë e kishte gjetur fajtor të pandehurin Hasan Zenelaj.

Me vendimin e Gjykatës së Pejës nuk ishin pajtuar mbrojtja e të pandehurit, të cilët pretendonin se me asnjë provë nuk ishte vërtetuar se personi i dytë me të dënuarin S.Z ishte tani i pandehuri Hasan dhe se aktgjykimi sipas mbrojtjes ishte i paarsyetuar dhe i mbështetur në provat e marra në kohën e paraluftës, të cilat mbrojtja e konsideronte të papranueshme.

Këto pretendime të mbrojtjes nuk i ka gjetur të bazuara Gjykata e Apelit, e cila ka konsideruar se Gjykata e Pejës kishte vërtetuar në mënyrë të padyshimtë se i pandehuri Hasan kishte kryer veprimet që i ngarkohshin me aktakuzë, pasi Gjykata e Pejës kishte  bërë një analizë dhe vlerësim të gjitha provave në harmoni më dispozitat procedurale.

“Prandaj, përveç, që qasja ndaj fakteve vendimtare ka qenë e drejtë dhe e ligjshme as një fakt nuk ka ngelur i dyshimtë ose i pavërtetuar dhe përveç, që janë vërtetuar drejtë ato edhe janë arsyetuar në mënyrë të plotë dhe të saktë. Kështu, në rastin konkret gjykata e shkallës së parë, ka dhënë arsyera të qarta për vendin, kohën dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale dhe po ashtu, edhe për mënyrën se si ka ardhur deri te kryerja e veprës penale nga i akuzuari, ku përkitazi, me faktet dhe rrethanat ne fjalë”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Apeli ka theksuar se ishte konkluduar ligjshëm nga Gjykata e Pejës se vrasja ishte nga hakmarrja, e cila arsyetohet të jetë filluar pasi vëllau i të ndjerit Zekë Ukaj, dëshmitari Haki Ukaj e kishte therë me thikë të pandehurin Hasan Zenelaj.

“Po ashtu, në bazë të deklaratave të dëshmitarit në fjalë, ka konstatuar se bëhet fjalë për vepër penale të vrasjes së kualifikuar, pra vepër penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje nga neni 179 par.1 nën par 8. e lidhur me nenin 31 të KPK-së, ngase duke pasur parasysh mënyrën se si është sulmuar tani i ndjeri por edhe konfliktin që ka ndodhur më parë në mes të akuzuarit dhe dëshmitarit H. U. – pra, vëllait të tani të ndjerit, atëherë padyshim që motivi i tyre ishte hakmarrja, e duke pasur parasysh si i akuzuari H. ka qenë vetëm i gërvishtur me thikë nga dëshmitari H. U., ndërsa tani i akuzuari se bashku me vëllain e tij tani të ndjerin e godasin që të dy me dy thika në pjesë vitale të trupit dhe atë pa pritur fare, pra, pa kurrfarë konflikti verbal apo fizik në mes tyre, pra, në moment e kanë sulmuar dy vëllezërit, pra, dy të akuzuarit, atëherë, me të drejtë edhe është konstatuar nga gjykata e shkalles së parë, se bëhet fjalë për hakmarrje të paskrupullt, që do të thotë se padyshim se bëhet fjalë për vepër penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje nga neni 179 par.1 nën par. 8 e lidhur me nenin 31 të KPK-së”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Kurse në lidhje me pretendimin e mbrojtjes për papranushmërinë e provave materiale të siguruara në procedurën hetimore para kohës së luftës,  Apeli ka arsyetuar se fakti se provat materiale të siguruara në kohën e paraluftës, nuk mund të konsiderohen të papranueshme pasi ishin siguruar konform procedurës penale dhe se vendimi nuk ishte i bazuar vetëm në këtë prova, mirëpo edhe në deklaratat e marra nga dëshmitarët okular në vitin 2019 deri 2021.

“Gjithashtu, kur është fjala për arsyerat për faktet vendimtare në këtë çështje penalo-juridike, gjykata e shkallës së parë, vlerësimin e saj e ka bazuar kryesisht, në deklaratat e dëshmitarëve okular në vendin e ngjarjes, deklarata këto të marra nga prokuroria por edhe gjykata gjatë vitit 2019, 2020 dhe 2021, deklarata këto të proceduara sipas dispozitave të KPPK-së, në fuqi, prandaj, edhe në këtë drejtim nuk qëndron pretendimi i mbrojtjes se aktgjykimi i ankimuar mbështetet kryesisht në provat materiale të kohës së para luftës, gjegjësisht, në prova të marra gjatë vitit 1989, kur edhe ka ndodhur ngjarja kritike”, arsyeton Apeli.

Apeli ka argumentuar se gjykata e shkallës së parë kishte gjetur se Hasan Zenelaj ishte personi i dytë që kreu vrasjen, bazuar në deklaratën e dëshmitarit Musa Ramaj i cili kishte parë të ndjerin duke u therë më thikë nga dy persona dhe nga të pranishmit kishte ndëgjuar se sulmuesit e të ndjerit ishin dy vëllezër që ishin në armiqësi me familjen e të ndjerit.

Provimi i veprimeve inkrimunese sipas Apelit ishin vërtetuar edhe nga deklarata e policit Qerim Rama, i cili kishte vërtetuar se kishte arrestuar njërin nga sulmuesit e të ndjerit, ndërsa sulmuesi tjetër ishte arratisur.

“Deklarata e dëshmitarit Q. R., ku vërtetohet se ditën kritike njëri nga personat që ka sulmuar tani të ndjerin, e që është arrestuar dhe për të njëjtin më pas është zhvilluar procedurë penale, ku është shpallur fajtor dhe është gjykuar, ka qenë tani i dënuari S. Z., kurse, personi tjetër është arratisur dhe nuk është arritur që më të arrestohet, ndërsa, nga dëshmitari H. U.-vëllai i tani të ndjerit Z. U., është vërtetuar se ditën kritike, pasi ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe e ka gjetur vëllain e tij të vdekur, është lajmëruar në Stacionin e Policisë në Deçan, ku, atje, komandanti i stacionit të policisë A. H., i ka treguar se vëllain ia kanë vrarë dy vëllezërit e …. dhe se njëri nga ta, pra, tani të dënuarin S. Z., e kanë arrestuar, ndërsa, vëllai tjetër B. (tani H.) ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe është arratisur. Pastaj, po, për faktet dhe rrethanat vendimtare në këtë çështje penalo-juridike, gjykata e shkallës së parë, ka marr parasysh edhe provat materiale dhe atë sidomos, faktin se i akuzuari B. H., në ndërkohë pasi që është arratisur nga vendi i ngjarjes dhe ka shkuar në Shtetin e Zvicrës, tek organet kompetente të Komunës së Deçanit, ka bërë ndryshimin e emrit nga B. në H. për çka, edhe përkundër lëshimit të letër rreshtimit ndërkombëtar nuk ka mundur të arrestohet përderisa janë njoftuar organet kompetente të ndjekjes penale përkitazi me ndërrimin e emrit”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Apeli ka refuzuar ankesën e Prokurorisë së Pejës e cila kishte kërkuar që të pandehurit t’i shqiptohet një dënim më i lartë për faktin se Prokuroria kishte cekur si arsye për ashpërsim të dënimit elementet e veprës penale dhe se dënimi prej 11 vitesh burgim ishte i ligjshëm.

“Rezulton se dënimi të cilin i ka shqiptuar gjykata e shkallës së parë, të akuzuarit është i drejtë dhe i ligjshëm, pastaj, i njëjti është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës të kryer penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit, është në funksion të preventivës gjenerale dhe individuale dhe se me këto dënime do të arrihet qëllimi i ndëshkimit i paraparë me dispozitën e nenit 41 të KPK-së”, ceket arsyetimi i Apelit.

Ndryshe, me 23 gusht 2021, Gjykata Themelore në Pejë e ka dënuar me 11 vite burgim të pandehurin Zenelaj.

Po ashtu, ai është obliguar të paguaj dhe shpenzimet e procedurës në shumë prej 300 euro.

Në shkurt të vitit 2020, ish-kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj, e kishte gjetur fajtor të pandehurin Zenelaj dhe e kishte dënuar me 11 vite burgim.

Mirëpo, Gjykata e Apelit i kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve të të pandehurit, avokatëve Ramiz Krasniqi dhe Berat Tmava, me ç’rast e kishte kthyer çështjen në rigjykim, me arsyetimin se vendimi i shkallës së parë nuk mund të qëndrojë si i ligjshëm.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 maj 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Hasan Zenelaj, i njohur më parë me emrin Besim Zenelaj, akuzohet se më 20 tetor 1989, rreth orës 9:30, në Deçan, në rrugën ish “Eduar Kardeli”, në afërsi të kanalit për ujitje, me marrëveshje me tani të dënuarin Selim Zenelaj, nga hakmarrja e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Zekë Ukaj, i moshës 25 vjeçare nga fshati Strellc i Epërm.

Sipas aktakuzës, rasti kishte pikënisjen në një rrahje që kishte ndodhur më 12 qershor 1989, në mes të pandehurit dhe vëllait të tani të ndjerit.

Bazuar në akuzë, tani i ndjeri Zekë Ukaj, ishte përcjellë për një kohë, e pastaj i afrohen nga prapa, fillimisht i dënuari Selim Zenelaj, e kap për qafe me dorë të majtë, kurse me dorën e djathtë fillon ta godas me thikë në pjesën e përparme të regjionit të gjoksit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, kur i ndjeri në mbrojtje e sipër së bashku me të dënuarin Selim Zenelaj, bien në kanalin e ujit, i pandehuri Hasan Zenelaj, zbret në kanal dhe derisa i dënuari Selim Zenelaj, po e mbante tani të ndjerin për duarsh, e godet disa herë në shpinë e pjesë të tjera të trupit, gjithsej 16 goditje, shumicën prej tyre në organe vitale ku për pasojë edhe ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Në shkresat e lëndës, thuhet se i akuzuari Hasan Zenaj, i njohur me emrin Besim Zenelaj është arratisur menjëherë pas ngjarjes kritike dhe nuk i është ditur vendndodhja, me ç’rast ish-Gjykata e Qarkut në Pejë, më 28 tetor 1989, kishte lëshuar letër-rreshtim.

Pasi që i akuzuari ishte i pakapshëm për organet e ndjekjes, thuhet se Gjykata e Pejës ka lëshuar letër-rreshtim ndërkombëtar, më 5 dhjetor 2015, ndërsa i pandehuri është arrestuar në shtetin e Zvicrës, më 27 janar 2019, ku edhe është ekstraduar në Kosovë më 8 maj 2019.

Kurse, i pandehuri tjetër S.Z(I ndjerë), i cili akuzohet se me Hasan Zenelaj ka kryer vrasjen e rëndë, ishte vazhduar procedura ndaj tij, me ç’ rast më 20 shtator 1991, ishte dënuar me 11 vjet burgim, me aktgjykim të plotfuqishëm.

Të ngjashme
Lajme • 19 Maj 2024