Lajme
De Riu: Italia mbështet Kosovën në integrimet euroatlantike, hapësirë për të rritur shkëmbimet tregtare
Demokracia
21:49 | 02 Qershor 2022

Share:

Ambasadori italian në Kosovë, Antonello De Riu, në pritjen e organizuar për nder të ditës kombëtare të shtetit të Italisë, deklaroi se vendi i tij do të vazhdojë të mbetet aleati kryesor për të mbështetur Kosovën në integrimin në strukturat euroatlantike dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë.

Po ashtu, ambasadori De Riu kujtoi se Italia mbetet partneri i pestë i Kosovës në tregti, ndërsa i dyti në mesin e vendeve të Bashkimi Evropian. Por, ai u shpreh se ka ende hapësira për të rritur shkëmbimin tregtar.

“Si një partner kyç i BE-së dhe NATO-KFOR-it, Italia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në këtë fazë vendimtare, duke mbështetur integrimin e saj në strukturat euroatlantike dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë. Pasi e kam vizituar Kosovën në faza të ndryshme gjatë karrierës sime si diplomat, dhe duke vënë në dukje përmirësimet e saj të prekshme, ndihem optimist për këndvështrimin e saj politik dhe, lidhur me këtë çështje, do të doja të përmend një thënie të Shën Françeskut, Shenjtorit të Italisë: ‘Filloni duke bërë atë që është e nevojshme; pastaj bëni atë që është e mundur; dhe – befas po bëni të pamundurën’. Ka qenë një vit i punës së vështirë për të forcuar lidhjet dypalëshe në të gjitha fushat strategjike të kulturës, ekonomisë dhe arsimit, zonja Presidente. Nëse nga ana tregtare, Italia është partneri i 5-të kryesor ekonomik i Kosovës, dhe i dyti në mesin e vendeve të BE-së pas Gjermanisë, ka ende hapësirë për të zgjeruar praninë e kompanive italiane në Kosovë në disa fusha siç janë: energjia e gjelbër, start-up-et inovative, agro-ushqimi, mallrat e konsumit dhe dizajni”, tha De Riu.

Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka theksuar se Italia ka qenë një aleat i madh dhe i përkushtuar i Kosovës ndërsa u shpreh e lumtur që e njëjta mbështetje vazhdon edhe sot.

“Italia ka qenë një aleat i madh dhe i përkushtuar, dhe një kontribuues i rëndësishëm në shtetndërtimin tonë dhe në procesin e ndërtimit të paqes. Ne e vlerësojmë shumë kontributin tuaj në mbështetjen e institucioneve tona, mbështetjen e shoqërisë civile këtu në Kosovë, dhe mbështetjen më të rëndësishme, për pavarësinë tonë, sovranitetin tonë, rendin tonë kushtetues, si dhe zhvillimet tona demokratike, kjo mbështetje në mënyrë vendimtare vazhdon edhe sot” ka thënë Osmani.

Në fund të ceremonisë, dekanja e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, është nderuar nga shteti italian për përhapjen e gjuhës dhe kulturës italiane.

Të ngjashme