Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka shkruar për dështimin e 21-të në Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, Albin Kurti, i ka kapur peng deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi ai ka siguruar numrat për vete. Ai, ka kërkuar nga Haxhiu që t’ia kërkoj votat Kurtit, meqenëse ky thotë se i ka.
E plotë:
Për 21 herë radhazi, Vetëvendosje po dështon në procesin e konstituimit të institucioneve. Kjo gjendje është e papranueshme dhe shumë e dëmshme për vendin. Pas çdo seance të dështuar, po bëhet më e qartë se deputetët e VV-së janë tashmë të kapur peng nga Albin Kurti, i cili për vete i paska siguruar numrat.
I bëj thirrje deputetes Albulena Haxhiu, por edhe gjithë deputetëve të VV-së, që të reflektojnë dhe t’i kërkojnë Albin Kurtit numrat e tij, që janë siguruar për Kryeministër, 61+, ashtu siç po deklarojnë, edhe t’i ofrojë të njëjtit edhe për votimin e Albulena Haxhiut si Kryetare e Kuvendit dhe kështu t’i hapet rrugë krijimit të institucioneve dhe të mos lejohet vazhdimi i bllokimit të vendit.
Si mund të kuptohet sigurimi i numrave për Albin Kurtin e jo edhe për Albulena Haxhiun?
Flisni ndër veti, reflektoni dhe mos e bllokoni vendin tutje.
Barra e përgjegjësisë është plotësisht mbi ju.
Albin, mos e lë Albulenën në baltë, jepja votat tua edhe asaj. Nëse ti nuk ke besim në të, atëherë ndërroje kandidatin dhe gjeje një më të besueshëm dhe jepja votat. Në këtë do të kesh reflektim edhe nga deputetët opozitarë.