Për 25 vjet me radhë doktori Niko Kolamovski ka jetuar jashtë Shqipërisë, por së fundmi ai ka vendosur të kthehet në vendlindje për të punuar në Bashkinë e Pustecit.
Dëshira për t’u shërbyer njerëzve të kësaj zone dhe dashuria për atdheun, por edhe përmirësimi i kushteve të punës bëri që ai pas dy dekadave të kthehet për të ushtruar profesionin e tij.
“25 vite kam qenë jashtë shtetit, u riktheva sepse u përmirësuan kushtet e punës, dhe mendova që me mire është te jem ne vendin tim e t’u shërbej njerëzve të mi. Jo, nuk jam penduar. E ndiej veten mirë dhe kënaqem në punë vij njerëzit që i njoh, njerëzit tanë”, është Kolamovski.
“Me shtyu vet ndjenja e kupton, guri rëndon në vendin e vet”, shtoi ai.
Të punosh në një bashki të vogël si Pusteci ka vështirësitë e veta, për shkak të territorit të gjerë e fshatrave të largët.
“Vështirësi sigurisht që ka por ka dhe bukuri, kur ndihmon njerëzit, bën diçka të mirë, kënaqesh dhe vet. Vështirësi sepse fshatrat i kemi larg, sidomos në kohën e dimrit, njerëzit nuk vijnë dot këtu te vizitohen, ka raste kur duhet të vesh ti vizitosh aty ku janë, sidomos për urgjenca. Rasti më i vështirë ka qenë në Cerje, kam shkuar për një urgjencë, 15 kilometra në këmbë, ta ndjekësh të sëmurin, kjo është”, tha doktori.
Shija e të shërbyerit për njerëzit e kësaj zone është më e madhe sesa për të huajt, ndaj deri në daljen në pension Niko ka vendosur që vitet e ardhshme ti kaloj në vendlindjen e tij.
“Mua më pëlqen këtu në vendin tim, ajo dëshirë është, për mua është këtu në vendin tim. Kam ardhur me qëllim që të dal në pension në Pustec”- tha më tej Niko Kolamovski.
Shembulli i doktor Nikos, dëshira e tij për të shërbyer komunitetit ku ka lindur e është rritur dhe pasioni për mjekësinë janë mesazhi i gjallë për çdo student mjekësie./euronewsalbania/