Lajme
Darka në Bruksel për t’i zgjedhur drejtuesit e ri të BE’së, Politico raporton se ka konsensus për katër emrat
Demokracia
15:59 | 17 Qershor 2024

Share:

Liderë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të mblidhen sonte në një darkë joformale në Bruksel, të parën pas zgjedhjeve evropiane, për t’u përcaktuar rreth katër figurave që do të udhëheqin me bllokun 27 anëtarësh.

Siç raporton Politico, një konsensus jashtëzakonisht i hershëm duket se po shfaqet rreth emrave të preferuar për t’u ulur në tryezën e lartë të BE-së: Ursula von der Leyen e Gjermanisë për një mandat të dytë si presidente e Komisionit Evropian, portugezi António Costa si president i Këshillit Evropian, Roberta Metsola e Maltës si shefe e Parlamentit Evropian dhe Kaja Kallas e Estonisë si shefe e politikës së jashtme.

“Udhëheqësit e BE-së dhe ndihmësit e tyre – madje edhe ata zakonisht më cinikët – treguan të hënën se një marrëveshje politike për të rënë dakord mbi këta katër emra është padyshim në lojë, përveç nëse dikush hedh një pengesë të papritur. Kjo marrëveshje politike më pas mund të miratohet zyrtarisht kur liderët të takohen sërish më 27-28 qershor në Bruksel” shkruan Politico.

Por, disa zyrtarë të BE-së theksuan përpara samitit se “asgjë nuk është rënë dakord derisa të bihet dakord për gjithçka” dhe se disa liderë mund të bëjnë ende ndonjë surprizë të hënën.

Të ngjashme