Sport
Dardanët U19 përgatiten për kualifikimet për Euro 2023
Demokracia
19:59 | 19 Tetor 2022

Share:

Kombëtarja e Kosovës U19 e ka zhvilluar grumbullimin e radhës përgatitor në prag të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Malta 2023”. Dardanët U19 janë të përfshirë në Grupin 3, bashkë me Ukrainën, Suedinë dhe Qipron.

Ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në Suedi, më 17, 20 e 23 nëntor të këtij viti. Dy skuadrat e para të grupit kalojnë në “Elite Round”, së bashku me skuadrën e tretë më të mirë nga 13 grupet e kësaj faze eliminatore.

Përzgjedhësi i kësaj grupmoshe, Ramiz Krasniqi, ka theksuar se qëllimi i këtij grumbulli është ta shohë formën e lojtarëve vendor.

“Në këtë grumbullim janë 80% futbollistë vendor dhe duam të shohim formën dhe përgatitjen e tyre.  Fati i keq është se një grup i futbollistëve pas turneut në Itali kanë mbetur me menaxherët e tyre në kërkim të klubeve të ndryshme dhe kjo ka zgjatur gati 3 muaj. Të njëjtit futbollistë nuk kanë qenë në kontinuitet të ndeshjeve, të përgatitjes fizike dhe automatikisht kjo është shfaqur në formën e tyre. I kam përcjell ndeshjet e tyre dhe u kam treguar se jam i pakënaqur dhe u kam kërkuar ta rikthejnë formën, sepse përndryshe nuk do të udhëtojnë në Suedi. E pikërisht ky grumbullim është një test për të parë e kanë rikthyer formën”, ka theksuar Krasniqi.

Ai ka thënë se nuk ka shumë njohuri për kundërshtarët, por ka vlerësuar se Ukraina mund të jetë skuadra më e fortë e grupit në bazë të rezultateve të mëhershme./Demokracia.com/

Të ngjashme