Danimarka do të ndajë 90 milionë euro të tjera ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe Spanja 200 tonë material ushtarak, thanë kryeministrat e dy vendeve që vizituan Ukrainën, raportojnë agjencitë, përcjellë Demokracia.com.
Gjatë vizitës në Kiev, Mette Frederiksen tha se Danimarka do t’i jepte Ukrainës më shumë armë në vlerë prej 90 milionë euro, gjë që do të rriste totalin e ndihmës ushtarake të shtetit skandinav në 146 milionë euro.
Frederiksen vizitoi Borodyanka, një periferi të kryeqytetit ukrainas, të enjten, së bashku me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez, raporton Reuters.
“Një anije e marinës spanjolle lundroi sot drejt Polonisë me 200 tonë municione dhe pajisje. Ajo po transporton 30 kamionë, disa automjete speciale për ngarkesa të rënda dhe 10 automjete më të vogla me material ushtarak që do të transportohen në Ukrainë”, tha ai.
Madridi deri më tani ka dorëzuar një duzinë avionësh me material ushtarak në Ukrainë, kujton agjencia franceze France Presse.
Udhëheqësi socialist u shpreh i tronditur pas vizitës në Borodyanka, duke thënë se ishte “shqetësuese të shihje tmerret dhe krimet e luftës së Putinit”, në rrugë.
“Ne nuk do ta lëmë popullin ukrainas”, shkroi Sanchez në Twitter. Dy krerët e qeverisë së krahut të majtë më pas u takuan me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Pak para se të vizitonin Borodyankën, aty u gjetën edhe dy varre masive dhe tek disa prej viktimave mund të shihen gjurmë torturash, thanë burimet ukrainase. /Demokracia.com/