Sport
Dan Petrescu: Ky është veç fillimi për Ermal Krasniqin, ai është punëtor dhe do të na ndihmojë shumë
Demokracia
18:43 | 28 Janar 2023

Share:

Transferimi i Ermal Krasniqit tek skuadra e Cluj në Rumani është padyshim një arritje shumë e madhe e futbollit kosovar në përgjithësi, si dhe e futbollistit në aspektin individual.

Ermal Krasniqi fitoi pëlqimin e trajnerit të Cluj, Dan Petrescu pas ndeshjeve të Ballkanit ndaj ekipit rumun në grupet e Conference Legaue. Ishte pikërisht trajneri Petrescu, ai i cili kërkoi me ngulm transferimin e Krasniqit tek ekipi i tij, me ç’rast edhe bindi sulmuesin kosovar, i cili poashtu kishte disa oferta tjera në këtë afat kalimtar.

Krasniqi tregoi menjëherë cilësitë e tij dhe që në ballafaqimin e parë të tij zyrtar, shënoi dhe asistoi në derbin ndaj Farul, ku edhe e ndihmoi skuadrën e tij që të marrë drejtimin e Superligës rumune.

Legjenda e futbollit rumun, tashmë trajneri i Cluj, Dan Petrescu e ka vlerësuar maksimalisht sulmuesin kosovar, Ermal Krasniqi – i cili sipas tij nuk e ka befasuar aspak me paraqitjet e mira, pasi ai e di se 24 vjeçari posedon cilësi të mahnitshme.

“Për mua, debutimi i Krasniqit nuk ishte befasi. I njihja shumë mirë cilësitë e tij nga më parë dhe e dija se ai është një lojtar që mund të na ndihmojë”, tha fillimisht Dan Petrescu për GazetaBlic Sport.

Petrescu potencon se surpriza e vemte për të ishte ambientimi i shpejtë i Ermal Krasniqit tek ekipi i tij.

“E vetmja surprizë për mua ishte fakti që ai arriti të ambientohej shumë shpejt në ekipin tonë, ne luajtëm kundër liderit të ligës në atë moment dhe ai arriti të shënonte dhe të jepte një asist”, vazhdoi Petrescu.

Në fund ish lojtari i Chelseat, Dan Petrescu tha se Krasniqi punon shumë dhe është djalë serioz, andaj pritshmëritë e tij për të janë mjaft të mëdha.

” Ai është një djalë serioz, punëtor, me shumë cilësi dhe e di që ky është vetëm fillimi. Pres edhe më shumë prej tij në periudhën e ardhshme, sepse e di se çfarë është i aftë të bëjë”, përfundoi trajneri 55 vjeçar.

Ermal Krasniqi normalisht se do të mësojë shumë nga Dan Petrescu tek aventura e tij në Cluj, pasi trajneri i tij njihet për karrierën e jashtëzakonshme që ka pasur kur ka qenë futbollist aktiv.

Ai në kulmin e karrierës së tij kishte arritur transferimin tek Chelsea, ku gjatë viteve 1996-2000 ka zhvilluar 150 paraqitje me ekipin e madh anglez. Ai po ashtu ka luajtur në skuadra si Southampton e Bradford në Angli, Foggia e Genoa në Itali dhe Steaua Bucurest në Rumani.

Petrescu gjithashtu ka 95 paraqitje me kombëtaren rumune, ku shihet si legjendë e vendit të tij në sportin e futbollit.

Të ngjashme