Dukagjini ka fituar një pikë në udhëtim te Gjilani në kuadër të xhiros së tretë në Superligën e Kosovës në futboll.
Ndeshja e zhvilluar në Gjilan u mbyll 0-0, por me raste të mira shënimi, shkruan Demokracia.com.
Kryetrajneri i Dukagjinit, Armend Dallku ka deklaruar pas ndeshjes se skuadra e tij ka mundur t’i arkëtojë pikët e plota.
“Në bazë të asaj që treguam në fushë, mund t’i merrnim edhe tri pikë. Kishim dy raste të qind për qindta për të shënuar, por nuk i konkretizuam. Jam i kënaqur me atë që treguam lojtarët në fushë”, u shpreh Dallku për Art Sport.
Dallku ka komentuar edhe kartonin e kuq të Bujar Shabanit në minutat shtesë të takimit.
“Po na bën nervoz puna e kartonëve të kuq. Edhe me Ballkanin e morëm një karton të kuq dhe atë me shumë pikëpyetje. Ky sot në kohën shtesë nuk ishte as faull. Nuk i bën nder as kundërshtari, por na prish punë. Neve na dëmton. Banka u ngrit duke kërkuar VAR-in. Ende nuk i dimë specifikisht rregullat e VAR-it. Karton shumë i lehtë i dhënë për një arbitër me përvojë. Duhet me pas kujdes në këto momente sepse mund të na kushtojnë në vazhdim, si neve ashtu edhe ekipeve tjera”, nënvizoi ai. /Demokracia.com