Subjekti juridik “SA Sallahu” sh.p.k, Lulzim dhe Naim Sallahu, janë deklaruar të pafajshëm për “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik” dhe “Falsifikim të dokumenteve”.
Në këtë rast, Lulzim Sallahu në cilësinë e pronarit dhe drejtorit të subjektit juridik “SA Sallahu” sh.p.k dhe “SA Sallahu” sh.p.k, me pronar dhe aksionar 100 % Lulzim Sallahu, po akuzohen për “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”, ndërsa i pandehuri Naim Sallahu po akuzohet për “Falsifikim të dokumenteve”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Deklarimin rreth fajësisë, të akuzuarit Naim dhe Lulzim Sallahu (ky i fundit edhe për kompaninë “Sallahu”), e kanë bërë pas leximit të aktakuzës nga prokurori special Dren Paca.
Pasi të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm, gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, i njoftoi se kanë të drejtë që brenda afatit prej 30 ditësh mund të bëjnë kundërshtimin e provave, si dhe të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 3 nëntor 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj personit juridik-kompanisë “SA Sallahu” sh.p.k dhe dy personave fizikë: Lulzim Sallahut (pronar aksionar 100% i kompanisë) dhe ndaj Naim Sallahut.
I pandehuri Lulzim Sallahu, në cilësinë e pronarit dhe drejtorit të subjektit juridik “SA Sallahu” sh.p.k dhe “SA Sallahu” sh.p.k, me pronar dhe aksionar 100 % Lulzim Sallahu, po akuzohen për “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”, ndërsa i pandehuri Naim Sallahu po akuzohet për “Falsifikim të dokumenteve”.
Aktakuza thotë se i pandehuri Lulzim Sallahu dhe i pandehuri “SA Sallahu” sh.p.k, me pronar dhe aksionar 100 % Lulzim Sallahu, më 5 shtator 2019 në Prishtinë, në cilësinë e pronarit të “SA Sallahu” sh.p.k., me rastin e aplikimit në procedurat e prokurimit publik në projektin “Rikonstruimi i Rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren-Prevallë”, të publikuar nga Ministria e Infrastrukturës, me vetëdije, me qëllim të mashtrimit si dhe me qëllim të ndikimit në vendimin e Autoritetit Kontraktues, ashtu që kompania e tij “SA Sallahu” sh.p.k, të shpallej fituese e kontratës për projektin në fjalë, kishte paraqitur dokumente me përmbajtje të rreme, sikurse janë: CV-të dhe referencat në emër të N.M, I.F, B.K., dhe L.G.
Sipas aktakuzës, këto referenca janë paraqitur si dëshmi se kinse të lartpërmendurit ishin pjesë e stafit, respektivisht të angazhuar si inxhinierë të kompanisë dhe se kishin përvojën e nevojshme të punës që kërkohej në njoftimin për kontratë.
Ndërkaq, i pandehuri Naim Sallahu në vitin 2019, thuhet se me qëllim që t’ia mundësojë vëllait të tij të pandehurit Lulzim Sallahu që përmes kompanisë “SA Sallahu” sh.p.k., të plotësonte kushtet e Autoritetit Kontraktues përkatësisht Ministrisë së Infrastrukturës, të shprehura në njoftimin për kontratë lidhur me projektin “Rikonstruimi i Rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren-Prevallë”, respektivisht kinse i njëjti kishte në përbërje të stafit të tij të angazhuar inxhinierë me përvojë, kishte përpiluar dhe nënshkruar referencat e cekura si në dispozitivin I, me përmbajtje të rreme.