Lajme
Dalin në protestë banorët e prekur nga traseja e re Kijevë-Zahaç, paralajmërojnë bllokim të rrugës Prishtinë-Pejë
Demokracia
10:20 | 30 Mars 2023

Share:

Përfaqësues të fshatrave Gllarevë, Rigjevë dhe Stapanicë, bizneset e të cilëve do të preken nga zgjerimi i trasesë së re të rrugës Kijevë-Zahaq, kanë protestuar në kundërshtim të vendimit të Qeverisë Kurti përpara Komunës së Klinës.

“Jo devijim të rrugës”, “Mbaj premtimet kryeministër”, “Bizneset po vdesin”, “Rruga aktuale është shpronësuar” ishin disa nga parullat e protestuesve nga të tri fshatrat që pritet të shpronësohen si shkak i zgjerimit të trasesë në autostradën Kijevë-Zahaq, raporton Demokracia.com.

Protestuesit kanë thënë se janë përreth 50-60 biznese që operojnë nëpër këtë zonë.

Binak Pantina, përfaqësues i protestuesve, ka thënë për Demokracia.com se vetëm ai ka investuar një milion euro në biznesin e tij dhe, në rast se i mbyllet, ai obligohet ta marrë rrugën e mërgimit.

“Na kanë bë të padrejtë tri fshatrave. Prej Prishtine e deri në Stapanicë nuk kanë deviju kërkun. E tash çka dreçin është bë për tri-katër kilometra… Unë për veti i kam një milion euro të investime, nëse më mshelet mu biznesi, më duhet të marrë rrrugë drejt mërgimit”, deklaroi ai.

I njëjti ka thënë se ka dialoguar me Qeverinë lidhur me këtë çështje, por se nuk ka parë reflektim serioz karshi kërkesave të tyre që traseja të vazhdohet në rrugën aktuale dhe të mos shpronësohen të tri fshatrat.

Protestuesit kanë bërë të ditur se do ta bllokojnë rrugën nacionale Prishtinë-Pejë në rast të mos-përfilljes së kërkesave. Pantina ka thënë se do të vendosin tenda dhe do të nisin grevë urie.

Ekspertët e bujqësisë kanë parë se ky segment që pritet të kalojë në prona private do të dëmtojë edhe 60 për qind të tokës pjellore në këto zona.

Kryeministri Kurti vitin e kaluar bëri të ditur se nuk do të ketë autostradë Kijevë-Zahaq, me qëllim të përgjysmimit të shpenzimeve.

“Ka projekt për zgjerim të rrugës, dhe do të kushtonte rreth 97 milionë euro dhe me shpronësim me kosto minimale. Kjo rrugë do të duhej të përfundojë shumë më herët. Po shqyrtojmë zgjerimin e kësaj rruge”, deklaroi ai. /Demokracia.com/

Të ngjashme