Futbollisti me shumë përvojë në Kosovë, Taulant Dajaku beson fuqishëm se ndeshjet e Kupës që u zhvilluan në mesjavë, janë sinjal për një pranverë të zjarrtë dhe të paparashikuar, shkruan Demokracia.com.
Mesfushori nga Skenderaj në një bisedë për Demokracia.com, ka thënë se befasitë në Kupë janë të pritshme dhe të pranueshme pasi është një kompeticion ku zhvillohet vetëm një ndeshje dhe luhet në kohën kur skuadrat vijnë posa kanë kryer fazën e përgatitjeve.
“Mendoj se Kupa është një kompeticion i paparashikueshëm kudo në botë meqë luhet me një ndeshje në këtë fazë dhe për më tepër vjen në hapje të edicionit pranveror kur ekipet sapo kanë kryer fazën përgatitore”, ka thënë Dajaku, i cili më pas ka bërë një analizë të thuktë për çdo ndeshje.
“Kishim disa derbi dhe mendoj qe kishim dhe disa befasi. Te loja derbi Prishtina – Drita ishte një ndeshje e luftuar dhe Prishtina kishte diçka më shumë nga loja. Drita për mendimin tim po merr “bumerangun” e asaj “komfort zonës” që ka pas krijuar me idenë se është shumë e fortë por ja që po i kthehet rruga në një malore të vështirë”, vlerësoi futbollisti kuqezi.
“Llapi -Ballkani ishte një ndeshje e fortë. Ballkani edhe përkundër që luajti për 50 minuta me një lojtar më pak, fati i ndeshjes u përcaktua në “ruletin” e penalltive. Ajo çka vihet re është natyra taktike e Ballkanit, dhe për më tepër edhe pse kishte një rast kur gjyqtarët përjashtuan portierin në një situatë kogja diskutabile, nuk kishte asnjë krijim drame a akuze për teori konspirative por pajtim me humbjen dhe kjo është një tregues se Ballkani ka hyrë tashmë në një cikël të ri premtues dhe ndoshta ky fakt do ju shërbejë për rritje dhe më të madhe.
Ballkanin e shoh si pretendentin kryesor tashmë për titull parë nga organika dhe nga këta faktorë të reagimit të ri”, tha ish futbollisti i Prishtinës dhe shumë skuadrave tjera kosovare.
Edhe për Dajakun ashtu si edhe për shumë analistë të tjerë befasia më e madhe ishte eliminimi i Gjilanit.
“Gjilani – Istogu një befasi e dorës së parë dhe tregues se mbivendosja e dy projekteve sportive jo përherë është produktive në kuptimin e sjelljes se rezultateve shpejt. Ndryshe do të ishte një Gjilan i ndërtuar që nga fillimi prej dorës së profesorit Bylbyl. Mendoj se kjo kohë tashmë jashtë objektivave do t’iu shërbejë për të ndërtuar skuadrën dhe themelu projektin për vitin tjetër me ide të qarta dhe pa dritë-hijet e Mezanit.
Drenica bëri detyrën si favorite duke fituar me shumë gola. Kjo do të jetë motivuese edhe për kampionat ku e pret shumë punë.
Dukagjini një ekip i mirë që fitoi ndaj një konkurrenti interesant dhe mbetet të shihet deri ku Dallku do këtë quar idetë e tij te ekipi që menaxhon”, ka thënë Dajaku i cili ka versuar edhe Trepçën ’89 që fitoi bindshëm, derisa eliminimin e Arbërisë e sheh si lehtësim për skuadrën në aspektin psikologjik por edhe fizik dhe tash do të jetë e përqendruar vetëm në gara, ndërsa për “Niklin” Kupa do të jetë një mundemi e mirë për ta kap Europën.
“Besoj se do të jetë një pranverë e fortë në të gjitha aspektet. Kënaqësi për futbolldashësit dhe uroj që gjithçka të ecën mbarë për nivelin e Ligës dhe sigurisht me shpresë së fundi i kampionatit të na gjejë me shikues në shkallët e stadiumeve”, ka përfunduar Taulant Dajaku. /Demokracia.com