Lajme
Daja, tezja, halla | Vajza e anëtarit të LVV-së propozohet nga Kurti për anëtare të bordit në KRPP
Demokracia
12:47 | 23 Shkurt 2022

Share:

Erdhi në pushtet duke i akuzuar qeveritë e kaluara për kapje të bordeve, por kryeministri Albin Kurti nuk po i ndalë emërimet familjare.

Fidane Spahija-Gjikolli u propozua sot nga kryeministri Kurti për anëtare në Bordin e KRPP-së, mirëpo edhe kjo po rezulton të jetë vajza e një aktivisti të Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë.

Demokracia.com ka mësuar se Fidane Spahija – Gjikolli, e propozuara e Kurtit për anëtare në Bordin e KRPP-së, është vajza e anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë, Hidaverid Spahija.

Në fotografitë që ka siguruar Demokracia.com, Hidaverid Spahija shihet shumë i afërt me kryeministrin Kurti. Madje, ata shihen bashkë edhe në një dasmë, aty ku supozohej sipas Kurtit ta kishin vendin familjarët.

Në mbledhjen e Qeverisë sot janë përcjellë për në Kuvend emrat e kandidatëve për dy anëtarë të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Avni Sahiti dhe Fidane Spahija-Gjikolli janë emrat e propozuar për dy anëtarë të KRPP-së.

Kujtojmë se para ardhjes në pushtet, Kurti kishte premtuar një kulturë të re të qeverisjes, ku nuk do të kishte punësime partiake e familjare.

“Njeriut do t’ia këqyrim punën, nderin, përgatitjen, por jo mbiemrin. Nuk mund t’i mbushim ambasadat e as ministritë me kushërinj”, kishte thënë kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, para nisjes së mandatit të dytë si kryeministër.  /Demokracia.com/

Të ngjashme