Kandidati për kryeministër të Serbisë, Ivica Daçiq, në një tubim elektoral në Uzhice e ka kujtuar dhe lartësuar ish-shefin e tij, Sllobodan Millosheviqin, duke thënë se Republika Srpska ishte fitorja dhe trashëgimia më e madhe që ia ka lënë popullit serb Millosheviqi.
Ai ka thënë se Serbia “po përballet me rreziqe të mëdha për shkak të luftës ruso-ukrainase” dhe ka shtuar se “vendosja e sanksioneve ndaj Serbisë do të ishte rrugë drejt pavarësisë së Kosovës dhe pranimit të saj në OKB”, shkruan Danas, transmeton Demokracia.com.
“Shtetet që na shkelën integritetin territorial të Serbisë dhe deklaruan Kosovën shtet nuk do ta tërheqin atë njohje, kur na kërkojnë që të harmonizojnë politikën e jashtme me BE-në”, ka thënë Daçiq.
Sipas tij, jo vetëm që nuk do ta tërheqin njohjen, por ata duan që Kosovën ta fusin brenda BE-së, në Këshillin e Evropës, në OKB dhe Serbia duhet t’i vendosë sanksione Rusisë, e cila i vendosë veton Kosovës në OKB.
Daçiq ka shtuar se Serbia nuk sheh as në Lindje, as në Perëndim, por vetëm interesat e saj. /Demokracia.com/