Lajme
Daçiq e vendos në kundërpeshë Asociacionin me anëtarësimin e Kosovës në KiE: “Po presim”
Demokracia
18:25 | 28 Mars 2023

Share:

Ishte më i zëshmi dhe i pari kundër asaj që para disa muajve emërtohej si plani frankogjerman për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ivica Daçiq, ministri serb i punëve të jashtme, i kishte paraprirë edhe Presidentit dhe Kryeministres së Serbisë, se plani frankogjerman në asnjë mënyrë nuk është i pranueshëm për ta.

Daçiq kishte arsyet e tij se pse mendonte kështu. Po thuajse ngado që shkonte jashtë vendit, ky plan, sipas fjalëve të tij, përbënte një problem të patejkalueshëm. “Në këtë plan presupozohet dhe merret si e mirëqenë se Kosova është shtet andaj edhe për Serbinë është i papranueshëm”, ishte lajtmotivi i argumentimit të tij.

Deklarimet e tij përcilleshin me vëmendje brenda skenës kosovare në fazat e para të paraqitjes së këtij plani në publik, për çka madje edhe nuk hezitohej që plani të intepretohej si tejet i favorshëm për Kosovën ngase argumentimet e Daçiqit ia jepnin peshën planit si “të pëlqyeshëm”. Vuçiq në anën tjetër deklaronte se me ta parë dokumentin “më shkaktoi dhimbje koke” dhe se “nuk e preka me dorë”, shkruan Insajderi.

Megjithatë, tashmë kjo marrëveshje ështl konkluduar nga palët edhe me shtojcën e zbatimit ndërsa ka kaluar edhe në marrëveshje “ndërkombëtarisht dhe ligjërisht e detyrueshme”; madje edhe pa u vendosur firmë mbi dokument.

Tash, ministri serb i jashtëm ka tjetër tregim nën gjuhë. “Jemi të gatshëm ta zbatojmë atë”, tha ai një ditë më parë në Tv Happy, përcjell Insajderi, por bën me dije se çështja vazhdon të mbetet te sekuencimi i çështjes së Asociacionit.

“Presidenti [Aleksandar] Vuçiq vazhdon të gjitha diskutimet për zbatimin e marrëveshjes, dhe po, presim më shumë presion rreth zbatimit”, tha ai.

Por, vëren ai, “po presim hapat e Prishtinës në lidhje me formimin e Asociacionit të Komunave Serbe”. Në dritë të kësaj, Daçiq fjalinë e vazhdon me Samitin e Këshillit të Evropës të muajit maj, ku mund të spekulohet se mund të ketë miratim të ndonjë deklarate në favor të anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Neni i 4 i Marrëveshjes Bazë parashesh që Serbia të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Andaj edhe Daçiq kujdeset që ta përmend se “Samiti i Këshillit të Evropës po vjen shumë shpejt”.

Të ngjashme