Çun Lajçi nga spitali mesazh për ministrin Vitia: Zoti ka me t’vra nëse veç fotografohesh t’u i pritë vaksinat
Aktori i njohur kosovar, Çun Lajçi është në gjendje të rëndë shëndetësore pas infektimit me koronavirus.
Ai ka shpërndarë një fotografi nga spitali në rrjetin social Facebook, prej ku ka thënë se gjendja e tij shëndetësore nuk është fare e mirë, ndërsa nuk ka lënë pa e kritikuar as qeverinë, shkruan Demokracia.com.
“Me të gjitha gazepet që ndjen shpirti im, nga ky virus brejtës do t’thosha unë, që blua mi ka mushknitë për nji muej ditë, e bukur fort damtua melqinë, po gjejë forcë (tue i shtrengua dhamtë e blemë të dentisti), t’iu shkruej që ta dini”, ka shkruar ai në gegërishte.
Ai gjithashtu tregon se kushtet në Klinikën Infektive janë të mjerueshme, duke shtuar se nuk është aspak ashtu siç kemi parë në televizion.
“Se qeveritë e kalueme, këtu paskan pasë çua ministra me dalë n’fotografi, paraprakisht tue i çua gazetarët me i filmua, e në mbramje, ne me i pa n’TV-të tona, se sa shumë janë tue investua n’mjekësi ministrat xheparosha!? Por, çuditërisht, rezultatet i paskan pasë marrë ‘gabimisht’ me vete”.
“Çfar dallimi nga deklaratat e tyne, me gjendjen që po e shohin sytë e mi!!! Ah sa mjerim kur po shkoj veç n’tualet!? Ku janë letrat higjenike?! Ku janë sapunat me i pastrua duert. Ku asht dizenfektanti? Ku janë letrat për duer!? Ku ka tualete pa dyer e pa çelsa!? E ku e ku e ku! Vajhalli për gra e pleq”, ka shkruar Lajçi.
Aktori i njohur ka edhe një porosi për ministrin Arben Vitia, duke e këshilluar të punojë më shumë për shëndetësinë.
“Ministër Vitia! Zoti ka me t’vra, (e t’vraftë) nëse ecë rrugëve të tyne, e pret veç m’u fotografu tue i pritë vaksinat, e shqiptarin e smutë e lenë që me pensionet e shkreta, t’i blejë ilaçet për nji grimë shpresë!”, shkruan aktori.
Ky është shkrimi i plotë i Çun Lajçit pa ndërhyrje:
Me të gjitha gazepet që ndjen shpirti im, nga ky virus brejtës do t’thosha unë, që blua mi ka mushknitë për nji muej ditë, e bukur fort damtua melqinë, po gjejë forcë (tue i shtrengua dhamtë e blemë të dentisti), t’iu shkruej që ta dini:
Se qeveritë e kalueme, këtu paskan pasë çua ministra me dalë n’fotografi, paraprakisht tue i çua gazetarët me i filmua, e në mbramje, ne me i pa n’TV-të tona, se sa shumë janë tue investua n’mjekësi ministrat xheparosha!?
Por, çuditërisht, rezultatet i paskan pasë marrë “gabimisht”me vete si dukët, ose eurot, që thojshin jemi tue i investua n’shendetin e popullit, se m’besoni, pos shpirtit humanitar të shqiptarit tim, qoftë mjek qoftë infermier, qoft teknik, a pastrues, këtu pak e hiç s’paska mbetë!
Çfar dallimi nga deklaratat e tyne, me gjendjen që po e shohin sytë e mi!!!
Ah sa mjerim kur po shkoj veç n’tualet!? Ku janë letrat higjenike?! Ku janë sapunat me i pastrua duert. Ku asht dizenfektanti? Ku janë letrat për duer!? Ku ka tualete pa dyer e pa çelsa!? E ku e ku e ku! Vajhalli për gra e pleq.
Trishtim kur po zbres n’podrum me i fotografu mushknitë. Kur po i shoh teknikët ne ç’kushte punojnë e rrinë (t’mos i krahasoj me minjtë, n’drita t’errta elektriku, pa ajër e dritë Zoti!
Por nji gja m’ka frymzu për kët shkrim: Mos dallimi mes pacientëve.
Me besoni se nga katër pacjentë, tre pleq tjerë trajtohen si unë (bile edhe ma mirë)!
Por jo edhe deputët e pushtetarë! Ata trajtohen atje ku ne s’kemi çasje!
Ah pushtetët, duket se ato s’ndrruekan me sa sistemet!
Por: Kur t’barabartë do t’jemi para Zotit, mjekësisë e drejtësisë, binduni se Kosova do t’jetë e dëshirumja jonë.
Kur ministrat do t’vinë këtu pa i thirrë kamerat televizive, dijeni se kanë ardhë me punua për baballarët e tyne e fëmijët e Kosovës. Kanë ardhë buxhetin për shendetësi me shti n’xhepin e mjekut, infermierit, teknikut, pastruesit, n’ilaçet e pacientëve, n’përmirësimin e kushteve e jo n’xhepat e tyne, tue dhanë tendere e tue i nda përqindjet mes veti!
Ministër Vitia! Zoti ka me t’vra, (e t’vraftë) nëse ecë rrugëve të tyne, e pret veç m’u fotografu tue i pritë vaksinat, e shqiptarin e smutë e lenë që me pensionet e shkreta, t’i blejë ilaçet për nji grimë shpresë!
S’po muj me shkrua ma shumë, se m’erdhën antibiotikët që gruja shkoi i bleu e po pres me marrë infuzionin për nji këndellje t’mushknive!
Raport i shkurt për kushtet, e nji mirënjohje deri të Zoti për pastruesit, teknikët e infermirët që na rrinë të kryet për pagat mjerane!
Falenderim për doktorët që s’i kursejnë netët pa gjumë, për nji fjalë sheruese, nji kontrollë e ndëgjim gjoksi e shpine e nji këshillë, n’kushtet (larg të dëshirueshme) që i kanë!
Qeveri.
Hetoni ato miliarda që erdhën n’emnin e shëndetësisë kosovare, se këtu, rreth e rrotull po shoh kanta plehu, e ndertime t’pa kryeme e pacjentë podrumeve si mijtë!
Por pak ma larg, atje kodrave t’Prishtinës, Marigonë, Çagllavicë e Ajvali, shtëpia mbretnore t’ish pushtetarve!
Pulmo, 03.05.2021
(Vullnetaret). /Demokracia.com/