Lajme
Çudit raportuesi i PE-së për Serbinë, thotë se “s’është i lumtur” për amendamentin që fajëson Beogradin për zgjedhjet në Kosovë
Demokracia
17:54 | 10 Maj 2023

Share:

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Bilçik, tha se nuk është i lumtur për amendamentin e miratuar në raportin për Kosovën, në të cilin, siç tha ai, fajin e vetëm për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës e ka Beogradi.

“Ky është pikërisht ai lloj mesazhi që nuk ndihmon në një situatë të vështirë. Përgjegjësia është e të dyja palëve dhe këtë duhet ta kemi parasysh”, tha Bilçik.

Kjo deklaratë e Bilçikut është krejtësisht jashtë realitetit, pasi që dihet mirëfilli thirrja e Serbisë dhe Vuçiqit për t’i bojkotuar zgjedhjet në katër komunat veriore. Madje ka pasur edhe kërcënime ndaj atyre serbëve që patën shprehur gatishmërinë të marrin pjesë në zgjedhje, të cilat ishin shtyrë një herë pikërisht për t’ia pamundësuar Listës Serbe pjesëmarrjen, shkruan Demokracia.com.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me raportuesen e PE për Kosovën, pasi raportet e tyre për Serbinë dhe Kosovën u miratuan në Parlamentin Evropian, ai tha se vetëm me zbatimin e marrëveshjes në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mund të arrihet paqja dhe të rikthehet besimi në procesi i normalizimit të marrëdhënieve.

PE mbështet plotësisht marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe Ohër, si dhe nënshkrimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, tha Bilçik dhe vuri në dukje se marrëveshjet duhet të zbatohen plotësisht, duke përfshirë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ne e mbështesim plotësisht dialogun. Ne nuk duam tensione apo dhunë të reja”, tha Bilçik.

Raportuesja e PE-së për Kosovën, Viola von Cramon tha se shpreson të shoh më shumë progres në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe se marrëveshjet do të zbatohen më shpejt.

“Zgjedhjet e fundit komunale në veri mund të ishin një test i mirë për të thënë se duhet të bëjmë më shumë presion mbi qeverinë në Prishtinë, por në këtë aspekt kam shpresuar se pjesëmarrja e Listës Serbe do të ishte një shenjë e mirë që ata janë gati për t’u kthyer në institucione, për të bërë hapin tjetër dhe për të arritur në Prishtinë”, tha Von Cramon.

Ajo shtoi se duke qenë se kjo nuk ndodhi, tani është pak më e vështirë dhe “madje shohim që i gjithë procesi ka ecur mbrapsht”.

Duke folur për Rezolutën për Serbinë, e cila u miratua sot në seancën plenare të PE me 508 vota pro, 76 kundër dhe 37 abstenime, Bilçik tha se raporti “vlerëson mirë” se ku ndodhet Serbia në raport me BE-në.

Bilçik tha se nga Serbia kërkohen reforma të vazhdueshme, veçanërisht në fushën e gjyqësorit, për të vazhduar procesin e reformave kushtetuese, për të vazhduar punën për përmirësimin e cilësisë së demokracisë dhe për të përmirësuar situatën kur bëhet fjalë për lirinë dhe pavarësinë e mediave.

“Sulmet ndaj gazetarëve dhe paditë SLAPP nuk janë të pranueshme askund në botë, madje as në Serbi”, tha Bilçik.

Ai gjithashtu vuri në dukje se Serbia pritet të respektojë plotësisht politikën e jashtme të BE-së kur bëhet fjalë për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, duke përfshirë masat kufizuese. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme