Lajme
Çudia me numrat e banesave në Prishtinë, Ndërmarrja Banesore i ngatërron adresat e qytetarëve
Demokracia
15:38 | 22 Shkurt 2022

Share:

Tahir Shalës banor i lagjes “Bregu i Diellit” në Prishtinë i janë shtuar gajlet për shkak të ngatërrimit të numrave nëpër hyrjet e banesave. Një gjë e tillë është bërë nga Ndërmarrja Publike Banesore (NPB).

Gjithmonë numrin e banesës e ka pasur të njëjtin, por tash Ndërmarrja Publike Banesore ia ka vendosur një tjetër, duke shkaktuar kështu shumë probleme për të gjithë banorët e bllokut banesor të rrugës “Afrim Zhitia” në “Bregun e Diellit”.

“Numri i banesës tash ndryshon nga numri që e ka vendosur Ndërmarrja Banesore. Tash po kemi telashe kur postieri sjell letrat, po ashtu po kemi telashe me faturat e rrymës e ujit, e do të kemi problem edhe me ftesat që nesër mund të na vijnë nga institucionet. Është ngatërruar gjithçka”, thotë Tahir Shala për Demokracia.com.

Nga NPB-ja kanë thënë për Demokracia.com se numrat nëpër banesa ku i mirëmbajnë janë vendosur në bashkëpunim me banorët.

“Rrjedhimisht, ne si Ndërmarrje Publike Banesore pasi që në kuadër të Projektit për Renovim dhe Mirëmbajtje na përfshihet vendosja e infografikës tek dera e njësisë banesore, i kemi vendosur infografikat në të cilat numrat e njësive banesore janë vendosur në bashkëpunim me përfaqësuesit e njësive përkatëse, të cilët këtë numër e kanë përcaktuar vet në marrëveshjen kontraktuale me NPB”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni për Demokracia.com

Por një gjë të tillë Shala e demanton. Ai thotë se nuk i ka pyetur askush për vendosjen e këtyre numrave që kanë ngatërruar adresat e banesave.

“Askush s’na ka pyetur e as konsultuar, ju mund ta shihni edhe vet se si janë ngatërruar numrat e hyrjeve. Numri i banesës ka qenë gjithmonë i njëjti, ndërsa Ndërmarrja Banesore e ka vendosur edhe një duke e ngatërruar komplet adresën. Ky është problem shumë serioz që e kemi adresuar, por s’kemi marrë përgjigje serioze kurrë”, ka thënë Shala.

Demokracia.com ka kërkuar gjithashtu sqarime nga Ndërmarrja Banesore se si ka ardhur deri te ngatërresa e këtyre numrave nëpër banesa, por ata janë arsyetuar se disa janë vendosur edhe nga Komuna e Prishtinës.

Por, në dëshmitë që i ka siguruar Demokracia.com shihet se numrat janë vendosur nga Ndërmarrja Banesore.

“Ju njoftojmë që së fundmi në hyrje të ndërtesave shumë banesore janë duke u vendosur infografika me numra nga Komuna e Prishtinës, të rregulluara me ligje dhe udhëzime administrative përkatëse. Pasi që në email nuk specifikoni se për cilat infografika specifikisht po bëhet fjalë, nëse iu jeni referuar veprimeve të fundit të infografikave të vendosura nga Komuna e Prishtinës, e cila ndryshon nga shumë aspekte nga ajo e NPB-së, ju ftojmë që kërkesën tuaj ta adresoni tek Komuna e Prishtinës, përkatësisht tek Drejtoritë përkatëse”, thuhet në përgjigje të këtij institucioni.

Por, kjo ndërmarrje komunale aq është e pakujdesshme, sa edhe katet e ndërtesave i ka ngatërruar. /Demokracia.com/

Banorët kanë shpjeguar se vendosja e pllakave nëpër kate është bërë gabim.

Të ngjashme