Lajme
Cramon kontraverze rreth kishave ortodokse, Mehmeti: “Di vetëm çka dëgjon nga Teodosije, s’ka përpjekje për shqiptarizim as tëhuajësim”
Demokracia
20:34 | 14 Janar 2024

Share:

Jo ‘sefte’ Viola von Cramon, eurodeputete dhe Raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, di të prodhojë deklarata bukur-kontraverze.

Në tensionet e fund-majit të vitit të kaluar në veri një pyetje e shtruar prej saj jo pak kënd e kishte lënë “të shtangur”, kur dy pjesëtarëve të njësive më elitare speciale policore i ishte drejtuar – para kamerave – me pyetjen: “çfarë dreqin po bëni këtu?”.

Kjo që gjerësisht ishte kuptuar e dëgjuar si mosrespekt i saj ndaj njësiteve elitare të cilët kryejnë punën e tyre nën urdhra (në atë rast nga politika); por edhe shprehur eksplicit dhe para kamerave, kishte zgjuar indinjatë të thellë te shumë kush; e për edhe më tepër, insistimi i saj në “legjitimitetin e shtrimit të asaj pyetje”.

Ndërkaq, sot, sërish, duke folur nga Graçanica u lëshua edhe në vlerësime historike – duke e marrë krejtësisht si të mirëqenë pyetjen e mediave serbe për gjoja “përpjekje nga autoritetet e Prishtinës për të përvetësuar trashëgiminë kulturore serbe” – kësisoji duke prodhuar sërish një kontroverzitet të llojit të vet.

Pas një vizite në Manastirin e Graçanicës dhe një bashkëbisedime me peshkopin serb Teodosije, Cramona – pyetur nga mediat serbe – tha se “historia nuk mund të rishkruhet” teksa e quajti “fakt që s’duhet mohuar nga askush” se “këto kisha janë të Kishës Ortodokse Serbe”.

Nëse doni ta rishkruani historinë, mund ta bëni, por s’do të keni sukses. Prandaj, mendoj se keni të gjitha dëshmitë e nevojshme që t’i dekaroni këto (kisha) si të Kishës Ortodokse Serbe…me shpresë dua të bëjë thirrje në racionalitetin e njerëzve të arsyeshëm që këto fakte të mos i vënë në diskutim”, ka thënë Cramon për Kosovo-Online.

Sigurisht se këto deklarate morrën hovin në ballinat e mediave dhe tablloideve serbe.

Por, pse këto deklarata janë – më së buti thënë – tejet, ama tejet të panevojshme; për të mos thënë edhe pa të vërteta?

Historiani Col Mehmeti, në një përgjigje me shkrim për Nacionalen vëren se deklarimi i sotëm i Cramon “është fort problematik për disa arsye”.

Kur bëhet fjalë për çështjen e trashëgimisë ortodokse, ajo shërbehet vetëm me ato që i dëgjon nga peshkopi Teodosije nga Eparkia Rashkë-Prizren. Tashmë është bërë shprehi e shëmtuar e diplomatëve të huaj që narracionin e hallkave lokale të Kishës Pravosllave në Beograd ta marrin si pasqyrën e vetme rreth trashëgimisë ortodokse në Kosovë. Nëse i reevaluojmë kumtesat e Eparkisë Rashkë-Prizren, shumica e tyre nuk kanë kurrfarë preokupimi për çështje tamam fetare të komunitetit ortodoks”, tha Mehmeti.

Shumica e tyre përshkohen nga propaganda për gjoja rrezikun e përhershëm që iu vjen nga shteti i Kosovës dhe nga shumica shqiptare—anipse Kosova ka bërë koncesione të tejzakonta nëpërmjet ekstraterritorialitetit dhe benefiteve të tjera ligjore, ashtu sikundër edhe qasja mirëdashëse e tolerante e shqiptarëve është faktori kryesor në ruajtjen e kësaj trashëgimie”.

Ndërkaq sa i përket asaj që Cramon e merr për të mirëqenë nga pyetjete e mediave serbe; edhe kjo përbën një çudi në vetëvete. Historiani Mehmeti na thotë se “nuk ka kurrfarë përpjekje për ‘shqiptarizim’ e as për tëhuajësim të identitetit të kishave e manastireve ortodokse”.

Që të bëhej një akuzë si kjo, do të duhej të ekzistonin fushata e ndërmarrje të sponzorizuara nga vetë shteti, por një gjë e tillë nuk është bërë e as që do të bëhet ndonjëherë. Edhe akuza tjetër, të cilin von Cramon e mori të mirëqenë, mbështetet njashtu mbi spekulime. Nuk ka kurrfarë përpjekje për rishkrim të historisë. Kaq e qartë është kjo!”, shtjellon Col Mehmeti.

Historiani Mehmeti, që është edhe një nga njohësit më të mëdhenj në vend të asaj periudhe e në veçanti të pretendimeve të “ortoksisë serbe” vëren se po të vëzhgohet aktiviteti në Twitter i vëllazërisë murgjërore të Manastirit të Deçanit shihet “një padurim i plotë ndaj kujtdo që merret, në një mënyrë ose tjetër, me historinë e kishave dhe manastireve ortodokse”.

Kjo flet vëllimshëm sesi Kisha Pravosllave, dhe hallkat e saj në nivele më të ulëta, e përjetojnë veten sikur kanë monopol për të folur për gjithçka ortodokse”.

Diskutimet shkencore e joshkencore për trashëgiminë shumëshekullore ortodokse janë të lira, dhe si të tilla nuk kanë pse të marrin leje prej askujt e as të jenë rob prej një ndjeshmërie të shtirur”, shton ai.

Rëndom, çfarëdo reference shqiptariteti provohet të shmangen nga çdo diskutim kur fjala ështe te kishat ortodokse nga akterë të Kishës Ortodokse Serbe; por edhe nga të huajt që marrin mundin të flasin për to; sikur në këtë rast Viola von Cramon.

Nuk duhet të ketë fobi ndaj realiteteve të dikurshme fetare në Kosovë, ku edhe vetë shqiptarët kanë pasur një hise të ndjeshme. Përmendja e shqiptarëve si entitet i dallueshëm etnik në burimet bizantine, si fjala vjen te Ataliati më 1040, është e bashkëshoqëruar me cilësimin ‘homothreskeí’, pra një bashkëfetarësi me pjesën tjetër të botës ortodokse bizantine. Këto realitete, mandej, u fosilizuan edhe në leksikun e vjetër të shqipes me huazime nga greqishtja kishtare si kllogjën (nga καλόγερος), munështir (nga μοναστήρι), fli (nga εὐλογία), korë (nga εἰκόνα), e kështu me radhë”, thotë Col Mehmeti.

Më tej, Mehmeti zhytet në lëminë që e tij ku nxjerr referencat – që sigurisht, Cramon nuk i posedon.

Deri në autoqefalizimin e Kishës Pravosllave me 1219, janë dy shekuj të pakëputur afrimiteti me Kryepeshkopatën e Ohrit. Prizreni, Lipjani e pjesërisht edhe Rasi mbulonin praktikisht krejt Kosovën e sotme, dhe si gjuhë liturgjike ishte greqishtja kishtare. Dhe nuk mund të ishte ndryshe kur në tri burimet e para hagiografike serbe Kosova e sapopushtuar identifikohej si “grčke zemlje” (tokë greke) — kjo sebep besimit ortodoks në Kosovë. Megjithë rikonfigurimet dhe demarkimet e reja fetare, tradita ortodokse në Kosovë, qoftë bizantine, qoftë pravosllave, është ruajtur gjer vonë nga shumica shqiptare, gjë që dëshmohet nga plot udhëpërshkrues”.

Duke vijuar shpjegimin më tej, Mehmeti konkludon se është e pakuptimtë që e sotmja të projektohet në të kaluarën; dhe shpjegon pse kjo është kështu.

Është gjë arbitrare dhe dashakeqe që serbizmi i manastireve dhe kishave ortodokse të projektohet thellë në kohë, madje në periudhën paramoderne. Vetë identitetet janë të negociueshme në varësi të rrethanave të jashtme, dhe Cremoni do të duhej të vihej në dijeni me një fakt interesant: prej vitit 1903 deri më 1916, manastiri i Deçanit, nga një marrëveshje mes ruso-serbe, u qeveris praktikisht prej kallogjerësh rusë të ardhur nga Atosi. Dokumentet konsullore të kohës flasin për atin Kiril dhe atin Varsofoni që drejtonin manastirin, madje qysh në atë kohë u akuzuan se vodhën dokumente mesjetare nga Manastiri dhe i dërguan ato në Atos”.

Është ironike sesi konsullata serbe në Prishtinë, dhe Ministria e Jashtme në Serbi, ankoheshin gjithë shqetësim se një pjesë e serbëve në Kosovë kishin nisur ta deklaronin veten rusë mu për shkak të simpatisë për këta kallogjerë. Kjo kishte ngjarë edhe me 1872 kur u themelua Ekzarkati bullgar dhe pjesa më e madhe e elementit sllavishtfolës në rrafshin e Kosovës u deklarua si ‘bullgare’. Janë të gjitha këto dromca që flasin se realitetet e dikurshme ishin krejt të tjetëfarshme nga sot, dhe është nonsens i llojit të vet projektimi i të sotmes në të kaluarën”, përfundon Col Mehmeti në një përgjigje për Nacionale.

Të ngjashme