Një javë pas fushatës për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, vendi është duke u bërë gati të shohë nëse numri i të infektuarve me COVID-19 do të shtohet si pasojë e tubimeve të partive politike nëpër qytetet e Kosovës.
Edhe pse partitë politike u patën zotuar për fushatë që do të marrë parasysh rrezikun nga infektimi i COVID-19 dhe se do të respektohen masat parandaluese të rekomanduara nga IKSHPK. Kjo shpejt u harrua dhe gjatë fushatës u panë tubime të qindra simpatizantëve në salla të mbyllura, shpesh edhe pa masa mbrojtëse si maskat e distanca fizike mes njerëzve.
Ekspertët nga IKSHPK-ja janë shprehur se deri në fund të muajit do të kemi një pamje më të qartë se si ka ndikuar fushata e zgjedhjeve në shëndetin publik dhe nga kjo do të mund të nxjerrin konkludime për gjendjen me pandeminë në përgjithësi.
Kosova, për dallim nga shumica e vendeve Europës, nuk është e mbyllur krejtësisht dhe shumica e aktiviteteve janë të lejuara.
Procesi i vaksinimit në Shqipëri po ecën pa probleme – është shprehur Drejtorja e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, shkruan Demokracia.com.
Duke folur pë DW, drejtoresha Fico në përputhje me “Planin Kombëtar të Vaksinimit anti-COVID-19” ka filluar vaksinimi i personelit në spitalet anti-covid, personeli i urgjencave, i reparteve të reanimacionit në spitalet e anti-covid.
Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje të drejtëpërdrejtë me BioNTech-Pfizer dhe pret që të marrë 500 mijë doza. Ndërsa pret të marrë edhe 1,4 milionë doza nga COVAX.
Serbia është shumë përpara vendeve të BE-së, përfshirë Gjermaninë e Francën me vaksinimin. Në një intervistë për gazetën gjermane FAZ, ministri i Shëndetësisë i Serbisë Zlatibor Lonçar e shpjegon suksesin e deritanishëm, ndër të tjera me faktin se vendi i tij, ndryshe nga vendet perëndimore, është përpjekur të marrë vaksina nga të gjithë ofruesit.
Prandaj në Serbi janë në dispozicion prej disa javësh jo vetëm vaksinat e Pfizer/Biontech, por edhe vaksina ruse “Sputnik V” dhe vaksina kineze Sinopharm.
Në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Bosnjë nuk ka nisur ende vaksinimi dhe nuk ka ndonjë të dhënë të saktë, se kur mund të pritet kjo. Këto vende kanë mbetur prapa në vaksinim pasi tërë shpresat i kanë bazuar në iniciativën COVAX. Tani këto shtete kanë filluar të negociojnë edhe me Rusinë dhe Kinën për të siguruar vaksina anti-COVID-19.
Shqipëria ka arritur të sigurojë një numër të vogël të vaksinave të Pfizer/BioNTech për mjekët e saj.
Rreziku që të sëmuresh nga COVID-19 bie për 95.8 për qind pasi merr dozën e dytë të vaksinës Pfizer/BioNTech, thotë njoftmi i Ministrisë së Shëndetësisë së Izraelit. Në të njëjtën kohë, vaksina është 98 për qind efikase në parandalimin e problemeve me frymëmarrje apo etheve dhe 98.9 për qind efektive në parandalimin e hospitalizimin dhe vdekjes, shtohet në njoftim.
Ky njoftim i Ministrisë së Shëndetësisë së Izraelit vjen pak ditë pasi kishte njoftuar se vaksina e Pfizer është deri në 85 për qind efikase qysh pas dozës së parë.
Këto gjetje janë të bazuara në të dhënat e mbledhura në tërë Izraelin nga rreth 1,7 milionë izraelitë që kanë marrë dy dozat e vaksinës para datës 30 janar.
Suksesi në vaksinim do të thotë se shteti do të mund të rihapet dhe të rinisë ekonominë.
Perëndimi duhet të ndihmojë vaksinimin në tërë botën, është thënë në takimin e G7-ës këtë javë.
Takimi i shtatë shteteve më të pasura të botës – Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Kanada dhe SHBA – është dominuar nga bisedimet për iniciativën COVAX për të siguruar vaksinën kundër COVID-19 në shtetet e varfra dhe ato me të ardhura mesatare.
Përderisa Rusia dhe Kina kanë përdorur vaksinat e tyre për të promovuar interesat e tyre politikë nëpër botë në atë që është quajtur “diplomacia e vaksinave”, perëndimi ka qenë më i preokupuar me vaksinimin e popullatës së vet dhe ka vënë shpresat për vaksinimin e pjesës tjetër të botës në iniciativën COVAX, iniciativë e përbashkët e disa organizatave ndërkombëtare përfshirë edhe OBSH-në.
SHBA-ja i ka premtuar 4 miliardë dollarë për COVAX, BE 1 miliard dhe Britania e Madhe më shumë se 500 milionë Paund.
Shtetet e perëndimore kanë thënë se ngecja në vaksinim jo vetëm që krijon përparësi politike për Rusinë e Kinën por edhe rrezikon angazhimin global për të ngadhënjyer mbi pandeminë e Covid-19.
“Është në pyetje prestigji i Perëndimit”, ka thënë Presidenti Macron i Francës. “Fuqia e Perëndimit mund të mbetet vetëm fjalë e bukur por jo edhe realitet”. /Demokracia/